Inaugurohet Qendra Universitare Frankofone në Universitetin e Prishtinës

Administrator Administrator 21 shkurt 2018 Arkivuar

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” u inaugurua Qendra Universitare Frankofone, e cila që nga tani do të ndihmojë në avancimin e frankofonisë në Universitetin e Prishtinës dhe në Kosovë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema u shpreh i lumtur që UPHP-ja po inauguron sot Qendrën Universitare Frankofone, pikërisht pas rreth një viti që është bërë pjesë e Agjencisë së Universiteteve Frankofone, rrjetit më të madh frëngjishtfolës në botë.

Ai hapjen e QUF-it e konsideroj si një hap tutje në ndërkombëtarizimin e UPHP-së. “UPHP ka si objektivë forcimin e kapaciteteve akademike nëpërmjet integrimit rajonal dhe ndërkombëtar. Madje, në Planin Strategjik 2017 – 2019, globalizimi dhe ndërkombëtarizimi i UPHP-së është njëra ndër objektivat të cilës i kemi kushtuar shumë rendësi. Hapja e Qendrës Frankofone edhe anëtarësimi në AUF janë mundësi të jashtëzakonshme për shkëmbimin e këtyre kapaciteteve”, tha Dema, ndërkaq shpjegoi rrugëtimin që kjo Qendër do të kaloj për t’i arritur këto objektiva.

I pranishëm në inaugurimin e QUF-it ishte edhe drejtori i Agjencisë Universitare Frankofone, z. Ketata, i cili tha që kjo Qendër është fryt i partneritetit të ngushtë në mes të UP-së dhe AUF-it. Ai falënderoi Rektorin Dema për involvimin e tij dhe të stafit, si dhe prof. Valbona Berishën për funksionalizimin e Qendrës, duke shtuar që “bashkëndarja e kësaj gjuhe të bukur përveç që do të përçojë komunikimin, do të jetë një monedhë e përbashkët për të gjitha shkëmbimet tona”.

Ndërkaq, Ambasadori i Kosovës në Francë, Shkëlqesia e Tij, z. Qëndrim Gashi përshëndeti hapjen e Qendrës, ku theksoi që Kosova është shumë e përkushtuar në promovimin e gjuhës frënge dhe diversitetit kulturor gjuhësor.

Përurimin e Qendrës Universitare Frankofone e përshëndeti edhe zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. z. Arber Geci i cili Qendrën e konsideroi si pasuri të çmuar kulturore dhe arsimore për shtetin e Kosovës.

Fjale rastin në hapjen e Qendrës Universitare Frankofone mbajtën edhe znj. Cécile Fisteberg nga Ambasada e Francës dhe dekanja e Fakultetit Filologjik, znj. Lindita Rugova. Ndërkaq, në mënyrë më të detajuar për funksionimin e Qendrës foli koordinatorja e saj, profesoresha nga Departamenti i Frëngjishtes, znj. Valbona Gashi – Berisha, e cila tha që në këtë Qendër në ditët ne vijim, do të ketë trajnime të nivelit të lartë në gjuhën frënge.