Inaugurohet Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP
Sot, në objektin e laboratorëve të Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u bë inaugurimi i Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP.
Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetë hapësirë e destinuar për studentët e UP-së, ndërmarrjet inovative në proces të parainkubimit dhe inkubimit, si dhe për të rinjtë e interesuar për përgatitje profesionale në fushën e inovacionit. Përveç kësaj, kjo qendër do të jetë në dispozicion edhe për inovatorë të tjerë individualë, të cilët mund ta shfrytëzojnë gjatë hulumtimeve të tyre me ide inovative. 
Për rëndësinë e qendrës, para të pranishmëve, foli dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof. dr. Ahmet Shala. Ai tha se kjo qendër do të jetë hapësirë e destinuar për studentë dhe për të rinjtë e interesuar për përgatitjen bashkëkohore, ku do të ofrohen trajnime të ndryshme nga lëmi i inxhinierisë dhe certifikime me standarde, po ashtu edhe trajnime të fushave tjera, sipas nevojës.
Ndërkaq, prorektorja për buxhet dhe financa e UP-së, prof. dr. Myrvete Badivuku – Pantina, u shpreh e lumtur për inaugurimin e kësaj qendre në hapësirat e universitetit.
“Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP është një ndër shumë qendra dhe zyre, të cilat i kemi themeluar viteve të fundit, për të ndikuar në ngritjen e cilësisë së studimeve në universitet. Kjo qendër shënon një hap tutje në arritjen e objektivave të paraparë si menaxhment në planin strategjik,” tha prorektorja Badivuku.
Hapjen e Qendrës se Inovacionit dhe Ndërmarrësisë e përgëzoi edhe kryeparlamentari Kadri Veseli. Veseli tha se një nga prioritetet e tij ka qenë dhe është lidhja e rrugës akademike me atë të ndërmarrësisë.

Para të pranishmëve, në ceremoninë inauguruese të qendrës, foli edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Ai e përgëzoi Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për punën që ka bërë në themelimin e kësaj qendre, teksa i ftoi studentët që të angazhohen dhe të përfitojnë nga mundësitë e ofruara.
Hapjes se qendrës iu gëzua edhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, z. Besim Beqaj. Ai tha se Qendra për Inovacion do të jetë vendi ku studentët do ta gjejnë veten para një ndryshimi, ku idetë studiohen dhe zhvillohen tutje.
Pas fjalëve përshëndetëse, të pranishmit i vizituan hapësirat e laboratorëve të FIM-së dhe Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ku inovatorët prezantuan projektet e tyre të paraqitura në këto hapësira.
Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP do të funksionojë sipas Memorandumit të Bashkëpunimit, të nënshkruar në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.