IN MEMORIAM

IN MEMORIAM

Administrator Administrator 14 mars 2026

Me ndjenjë të thellë respekti dhe mirënjohjeje, Universiteti i Prishtinës dhe komuniteti akademik kujtojnë sot jetën dhe veprën e filozofit të shquar gjerman, Jürgen Habermas, një prej figurave më të rëndësishme të mendimit filozofik të kohës sonë.

Habermas, i cili u nda nga jeta sot, më 14 mars 2026, pati një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e filozofisë bashkëkohore, sociologjisë dhe teorisë politike, duke kontribuar në ripërtëritjen kritike të traditës shekullore të mendimit racional perëndimor.

Vepra e tij hapi një kuadër të ri për të kuptuar racionalitetin, demokracinë, komunikimin dhe veprimin e lirë në shoqëritë moderne demokratike. Përmes kontributit të tij teorik, Habermas ndikoi thellësisht në mënyrën se si kuptohen sot deliberimi (kuvendimi), dialogu publik dhe legjitimiteti politik. Përveç kësaj, ai ishte një intelektual i angazhuar, duke u bërë pjesë e debateve më të rëndësishme politiko-morale të kohës sonë. Ai u shqua si një mbrojtës i palëkundur i vlerave demokratike dhe i parimit të përgjegjësisë në raport me të drejtat e njeriut, duke i dhënë kështu një dimension të rëndësishëm rolit të filozofit në shoqëri.

Habermas e shihte Luftën e Kosovës në vitet 1998–‘99 si pjesë të një zhvillimi drejt një rendi ndërkombëtar në të cilin të drejtat e njeriut bëhen më të rëndësishme sesa sovraniteti absolut i shtetit, por vetëm nëse kjo rregullohet nga institucionet ndërkombëtare, duke pohuar se: ,,Për herë të parë u zhvillua një luftë që u justifikua në mënyrë të qartë nga zbatimi i të drejtave të njeriut.”

Në një botë gjithnjë e më sfiduese, vepra e Habermasit do të mbetet një burim frymëzimi për filozofët, studiuesit dhe studentët, si një bazament për të kuptuar marrëdhëniet shoqërore përmes arsyes dhe komunikimit.

Universiteti i Prishtinës shpreh respektin më të thellë për figurën madhore të Habermasit dhe nderon kujtimin e tij si një mendimtar që i dha formë debatit intelektual të epokës sonë.