I diplomuari në UP, pjesë e njërit prej instituteve më prestigjioze të arkitekturës në botë
I diplomuar në nivelin baçelor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Egzon Feka ka fituar të drejtën të bëhet anëtar në Institutin e Arkitektëve Amerikanë – AIA Continental Europe, i cili është njëri prej instituteve më prestigjioze të arkitekturës në botë.
Ky anëtarësim erdhi pasi projekti i ekipit të Egzonit është përzgjedhur, në mesin e 887 projekteve të tjera, projekt triumfues në kategorinë e dizajnit urban dhe peizazhit.
Për këtë sukses, Egzoni thotë se është i lumtur që si një arkitekt i ri është pjesë e këtij instituti.
“Ndihem jashtëzakonisht mirë, pasi që është një nga institutet më prestigjioze të arkitekturës, dhe të jesh anëtar i tij si një arkitekt i ri të motivon që të vazhdosh të punosh edhe më shumë drejt sukseseve edhe më të mëdha”, u shpreh ai.
Për këtë sukses Egzoni e falënderon edhe Universitetin e Prishtinës, në të cilin thotë se e ka marrë bazën e arkitekturës.
“Universiteti i Prishtinës është vendi ku edhe kam marrë bazën në fushën e arkitekturës dhe përherë jam falënderues për disa profesorë, jo vetëm për diturinë të cilën e kam marrë nga ata, por edhe për mbështetjen të cilën ma ofrojnë vazhdimisht edhe sot”, rrëfeu ai.
Kjo garë studentore e quajtur INSPIRELI Awards këtë vit ka shënuar edicionin e 4-të të saj. Për çdo vit, studentët e arkitekturës i dërgojnë projektet e tyre universitare, të cilat analizohen dhe zgjidhen nga paneli i jurisë, i përbërë prej 150 arkitektëve botërorë.

