FTESË PËR APLIKIM PËR KURSIN: “Anglishte për Qëllime të Publikimit”

FTESË PËR APLIKIM PËR KURSIN: “Anglishte për Qëllime të Publikimit”

Administrator Administrator 23 janar 2018 Arkivuar

Shoqata Kosovare e Mësimdhënësve të Gjuhës Angleze (KETNET) në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës organizon kurs të gjuhës angleze për personelin akademik të UP-së.

Sipas kritereve të universitetit nga personeli akademik kërkohet të kenë publikime në revista ndërkombëtare si pjesë të punës dhe avancimit të tyre akademik. Sidoqoftë, shumë prej tyre nuk i kanë shkathtësitë gjuhësore akademike për të shkruar dhe publikuar në gjuhën angleze.

Duke pasur parasysh nevojën e personelit akademik të UP-së për publikim të hulumtimeve të tyre në gjuhën angleze, KETNET-i dhe Departamenti i Gjuhës Angleze kanë nisur një projekt për t’i adresuar këto nevoja. Projekti ka për qëllim t’i ndihmojë personelit akademik t’i zhvillojë shkathtësitë e anglishtes akademike në mënyrë që të mund t’i publikojnë hulumtimet dhe punimet e tyre nëpër revista ndërkombëtare. Ofrimi i kurseve të Anglishtes për Qëllime të Publikimit për personelin akademik që zotëron të paktën nivelin B1 të gjuhës angleze mund t’u krijojë mundësi më të mëdha për publikime ndërkombëtare. Projekti në fjalë mbështetet nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Kursi do të ofrohet ekskluzivisht për stafin akademik të Universitetit të.Prishtinës “ Hasan Prishtina”. Kursi mbahen tri herë në javë nga dy orë mësimi. Kohëzgjatja e kursit është dymbëdhjetë javë. Gjatë gjashtë javëve të para do të punohet në përforcimin e shkathtësive që vijuesit e përzgjedhur posedojnë, ndërkaq gjatë gjashtë javëve të fundit përqendimi do të jetë në shkathtësitë e shkrimit për publikime ndërkombëtare.

Kursi fillon me 1 shkurt 2018, ndërsa testi për caktim të nivelit B1 mbahet më 30 janar 2018. Afati I fundit për aplikim është 29 janar 2018.

Kandidatët e interesuar mund të aplikojnë përmes email adresës:
[email protected]