FSUNK anëtarësohet në EUSA - më shumë mundësi për studentët e sportit

Administrator Administrator 24 prill 2018 Arkivuar

Federata e Sporteve Universitare të Kosovës (FSUNK) është bërë anëtare në të gjitha institucionet ndërkombëtare të sportit universitar. Së fundi, në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës së Sporteve Universitare të Evropës (EUSA) të mbajtur në Spanjë, është votuar anëtarësimi me të drejta të plota anëtarësimi i FSUNK-së në EUSA.

Me pranimin e saj në Federatën Botërore dhe Evropiane të Sportit Universitar, FSUNK tashmë ka hapur të gjitha rrugët për sportisët dhe studentët e Kosovës edhe në nivel ndërkombëtar.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës së Sporteve Universitare të Evropës (EUSA) pjesëmarrëse ishin të gjitha shtetet anëtare të EUSA-së, përfshirë edhe përfaqësues të FSUNK-së.

Me 27 vota pro, dy kundër (Serbia, Qipro) dhe tri abstenime (Spanja, Maqedonia dhe Moldavia), Kosova u bë anëtarja më e re e mekanizmit më të lartë evropian të sportit universitar.

Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” tash e tutje do të kenë mundësinë e përfaqësimit të Universitetit në të gjitha aktivitetet e organizuara nga EUSA dhe Federata Ndërkombëtare e Sporteve Universitare. Përveç aktiviteteve sportive, studentët do të kenë mundësinë e pjesëmarrjes edhe në aktivitete të ndryshme edukativo-arsimore, edukimit përmes sportit, vullnetarizmit, përfitimit të bursave studentore, e të tjera mundësi.