Fondacioni „Vesel dhe Nafije Latifi” ofron dyzet bursa për studentët e vitit të parë dhe të dytë të nivelit bachelor në Universitetin e Prishtinës

Fondacioni „Vesel dhe Nafije Latifi” ofron dyzet bursa për studentët e vitit të parë dhe të dytë të nivelit bachelor në Universitetin e Prishtinës

Administrator Administrator 18 dhjetor 2025 Arkivuar

Fondacioni „Vesel dhe Nafije Latifi” ka hapur thirrjen për bursa që do t’u jepen studentëve të vitit të parë dhe të dytë të nivelit bachelor  të UP-së me gjendje jo të mirë ekonomike.

20 bursa janë parashikuar t’u ndahen studentëve të vitit të parë të nivelit themelor të studimeve nga të gjitha njësitë akademike të UP-së, ndërsa 20 të tjera atyre të vitit të dytë nga i njëjti nivel i studimeve.

Kandidatët e vitit të parë që aplikojnë për këto bursa duhet të ofrojnë dëshmi se janë duke vijuar studimet nga një familje që pranon ndihmë sociale ose vetë janë pjesë e këtyre skemave.

Ata që konkurrojnë për këto bursa nga viti i dytë i studimeve, përveç dëshmive për gjendjen ekonomike, duhet t’i kenë të përfunduara të gjitha provimet e vitit të parë dhe ta kenë notën mesatare jo më të vogël se nëntë.

Secila nga bursat vjetore të Fondacionit „Vesel dhe Nafije Latifi” ka vlerën 500 euro, ndërsa për to mund të kandidojnë vetëm studentët e UP-së që nuk kanë vendbanim të përhershëm në Prishtinë.

Për të konkurruar për këto bursa, studentët e vitit të parë dhe të dytë të nivelit bachelor nga Universiteti i Prishtinës, duhet të aplikojnë në adresën elektronike: [email protected].

Kandidatët duhet të dorëzojnë kopjen e letërnjoftimit, dëshmitë zyrtare se u takojnë skemave të ndihmës sociale, certifikatën e vendbanimit, vërtetimin e xhirollogarisë bankare dhe një letër motivuese në lidhje me arsyet e konkurrimit për bursë dhe ndikimin që ajo do të ketë në ngritjen e tyre akademike. Dokumenteve të nevojshme, studentët e vitit të dytë duhet t’ia bashkojnë edhe transkriptën e notave.

Konkursi është i hapur deri më 28 dhjetor 2025, në orën 16:00.

Të gjitha detajet për konkursin dhe bursat mund t’i gjeni në këtë vegëz:

Bursat e Fondacionit „Vesel dhe Nafije Latifi”            

Universiteti i Prishtinës për këto bursa nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Fondacionin „Vesel dhe Nafije Latifi” më 12 dhjetor 2025.