Fillon viti i ri akademik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” – i urohet mirëseardhje studentëve të rinj
Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” sot u shënua dita e parë e vitit akademik 2017 – 2018.
Studentëve të rinj, me pritje të veçantë iu urua mirëseardhje nga Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, prorektorët e Universitetit, dekanët dhe profesorët nga njësitë akademike të UP-së.
Ndalesa e parë e Rektorit Dema me rastin e këtij fillimviti ishte Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, ku i pari i UP-së i uroi mirëseardhje studentëve të rinj në këtë institucion, të cilit ai iu referua si tempulli më i madh i dijës në gjithë vendet shqipfolëse. Mirëseardhje studentëve të rinj të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë i uroj edhe dekani i këtij Fakulteti, prof. Skender Kaçiu.

Rektori Dema më pas ndau kohë për të vizituar dhe për t’iu uruar mirëseardhje studentëve të rinj të Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore.
“Uroj që të gjithë ju, me mësimet që do merrni brenda këtyre mureve nga profesorët tuaj, do bëheni lider të së ardhmes, do bëheni kuadro të fuqishme për të çuar përpara Kosovën tonë të çmuar, do bëheni ata që gjithmonë keni ëndërruar: matematicienë të suksesshëm, dhe krenaria e familjes tuaj.” u tha Dema studentëve.
Ndërkaq, dekani i këtij Fakulteti, prof. dr. Tahir Arbneshi i garantoi studentët që kanë bërë zgjedhjen e duhur, duke zgjedhur Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për të studiuar, përkatësisht Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore. Dekani më pastaj i prezantoi studentët me shefat e departamenteve në këtë Fakultet.
Ndërkaq, një pritje edhe më solemne për studente e rinj u organizua në Fakultetin e Edukimit të UP-së.
“Me disa prej juve veçse jam takuar në ditët që i jeni nënshtruar provimit pranues në këtë fakultet, ku u pata garantuar që vetëm më të mirët do të arrijnë që të fillojnë studimet në këtë ditë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Sot, duke e ditur që 78% të studentëve të përzgjedhur janë studentë me të gjitha notat maksimale në shkollimin e mesëm, ky premtim i imi veçse është bërë realitet” tha Dema.
Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. Ethem Ceku u uroi mirëseardhje studentëve, të cilët i garantoi për korrektësi dhe cilësi të lartë në mësimdhënie. Më vonë, stafi akademik për studentët e pranishëm bëri prezantimin e studimeve në këtë Fakultet.
Pas Edukimit, Dema së bashku me bashkëpunëtorë dhe stafin menaxherial të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, u uroi mirëseardhje edhe studentëve të këtij Fakultet.
“Bëhuni krenaria e familjes suaj, bëhuni krenaria e Universitetit tuaj dhe bëni krenar Kosovën kudo që shkoni!” u tha ndër të tjerash sportistëve të këtij Fakulteti, të cilët shfaqën një program me performancë në karate dhe vallëzim.
Dekani i këtij Fakulteti, prof. dr. Musa Selimi dhe stafi akademik në këtë pritje të ngrohët për studentët, informuan ata lidhur me programet e studimit dhe informata të tjera të rëndësishme për ta
