Fakultetit i Inxhinierisë Mekanike mbush 50 vite ekzistencë
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me anë të një ceremonie solemne, ka shënuar 50 vjetorin e themelimit të kësaj njësie akademike.
Mysafirët e kësaj ceremonie, në të kaluarën kishin dhënë kontributin e tyre për të zhvilluar arsimin në Kosovë dhe për të mbajtur gjallë fakultetin, përkundër sfidave që sillte koha.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe rektori i UP-së, Prof. Dr. Marjan Dema, i cili gjatë fjalimit theksoi rëndësinë e FIM-së si pjesë e UP-së dhe misionin e universitetit në 10 vitet e ardhshme.
“Menaxhmenti aktual i Universitetit të Prishtinës, ka një mision të qartë për dhjetë vitet e ardhshme. Pjesë e këtij misioni do jetë edhe FIM. Ne synojmë që brenda kësaj periudhe të zhvillojmë hulumtimet shkencore, të ngrisim cilësinë në mësimdhënie dhe të jemi konkurrues jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.”
Pjesëmarrëseve me një fjalim rasti iu drejtua edhe dekani FIM-së Prof. Sc. Ahmet Shala. Ai foli rreth sfidave të fakultetit, nga themelimi i tij e deri në ditët e sotme
“Për 50 vite, FIM nxori nga radhët e tij mijëra kuadro për inxhinieri mekanike. Sfidat për punë që kishte ky fakultet ndër vite arriti t’i tejkalojë me angazhim të stafit akademik, i cili punoi që sot të krenohen me të arriturat e studentëve të tyre. Fakulteti ka bashkëpunime të shumta në formë të projekteve me kompanitë në Kosovë, ministri të ndryshme dhe organizata ndërkombëtare.”
Për kontributin e çmuar që nga themelimi i FIM-it, dekani i kësaj njësie ndau disa mirënjohje për gjithë ata të cilët dikur ishin pjesë e këtij fakulteti në një formë apo tjetrën.
Mirënjohje u ndanë për Prof. Dr. Ahmet Geca, Prof. Dr. Ismajl Gojani, Prof. Dr. Jorgaq Kaçani – (Dekani i Universitetit Politeknik të Tiranës), Prof. Dr. Musli Bajraktari, Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike aktualisht ka gjashtë programe studimi të akredituara për nivelin Bachelor:
- Prodhimtari dhe Automatizimi
- Konstruksione dhe Mekanizim
- Komunikacion dhe Transport
- Mekatronikë
- Inxhinieri Industriale dhe Menaxhment
- Termoenergjetikë dhe Energji Ripërtërishme
Fakulteti ka edhe pesë programe të akredituara për nivelin Master:
- Prodhimtari dhe Inxhinieri Industriale me Menaxhment
- Konstruksione dhe Mekanizim
- Komunikacion rrugor
- Mekatronikë
- Termoenergjetikë dhe Energji e Ripërtërishme
Në FIM stafi akademik është i kualifikuar dhe në radhët e saj ka 29 profesorë doktor shkence, 10 asistentë mësimor magjistra dhe master, 3 laborant mësimor dhe 8 nëpunës të administratës.