Fakulteti i Edukimit, njësia më e re akademike në UP
Në fillim shekullin e ri, arsimi në vendin tonë po bënte transformime të rëndësishme, prandaj edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e pa të domosdoshme të krijonte edhe një njësi të re akademike për plotësimin e kërkesave të shoqërisë. Fakulteti i Edukimit për herë të parë filloi punën në vitin akademik 2002/2003.
Pesëmbëdhjetë vite pas, FE aftësoi shumë studentë në fushën e edukimit dhe të hulumtimit shkencor e mësimor, falë partneritetit me universitetet e huaja me të cilat krijoi ura bashkëpunimi si dhe institucionet publike e private. Vetëm vitin e fundit akademik në nivelin bachelor diplomuan rreth 500 studentë, ndërsa në master 36.
Stafi akademik është i kualifikuar dhe në radhët e saj ka 58 ligjërues të përhershëm, 18 të jashtëm dhe 16 nëpunës të administratës.
Fakulteti i Edukimit këtë vit akademik e ka filluar me katër programe studimi në nivelin bachelor, gjashtë në atë master dhe një në PhD.
Programet që FE ofron, janë këto:
Bachelor:
- Edukimi dhe Zhvillimi në Fëmijëri të Hershme (0-3 vjeç)
- Edukimi parashkollor
- Programi Fillor
- Programi Pedagogji e Përgjithshme
Master:
- Udhëheqja në Arsim
- Mësimdhënia dhe Kurrikula
- Edukimi Inkluziv
- Master i Pedagogjisë për Shkolla Profesionale
- Pedagogji - Drejtimi Teorik-Shkencor
- Master i Mësimdhënies Lëndore (me specializim në Gjuhe dhe Letërsi Shqipe, Matematikë, Shkencat Natyrore, Shkencat Sociale, Teknologji dhe TIK)
Doktoratë:
- Shkenca të Edukimit
Ky fakultet aktualisht e ka tregun më të sigurt të punës për të diplomuarit. Pas përfundimit të studimeve të gjithë ata të interesuar mund të gjejnë vendet e punës nëpër institucionet e edukimit parashkollor dhe shkollat fillore të Kosovës. Në Kosovë, universitetet private nuk kanë të drejtën ligjore të ofrojnë programe për përgatitjen e mësimdhënësve të rinj, prandaj Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës mbetet institucioni i vetëm që përgatit mësimdhënës për arsimin fillor.
Të gjitha programet janë të harmonizuara në bazë të sistemit arsimor të Bolonjës. Mësimi realizohet në formë të ligjëratave, ushtrimeve laboratorike, vizitave mësimore në terren, hulumtimeve dhe punës praktike.