FAKULTETI I EDUKIMIT FIZIK DHE SPORTIT SHËNOI 38 VJETORIN E THEMELIMIT
Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit, përmes një ceremonie të organizuar në amfiteatrin e këtij Fakulteti, ka shënuar 38 vjetorin e themelimit të tij.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema në fjalën e tij, lëvdoi punën e mirë që ka bërë FEFS gjatë këtyre viteve.
“Kampionët e vërtetë besojnë në vetveten, edhe atëherë kur askush nuk beson në ta!”. Askush më shumë se sporti në historinë tonë nuk dëshmoi një gjë të tillë. Atëherë kur në shoqërinë tonë po zbehej besimi në të arritura e zhvillim, e pesimizmi na lëkundte shpresën, ishin sportistët tanë që çdo herë na ngritën në piedestal, e na bënë çdo herë krenarë për këtë që jemi.”, tha Dema.
Njëherësh, Dema falënderoi për kontributin e dhënë edhe profesorët tashmë të pensionuar të këtij Fakulteti, të cilët sipas tij janë kontribuuesit më të mëdhenj në ngritjen dhe sukseset e këtij Fakulteti.
Para të pranishmëve foli edhe dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi, i cili përmendi rëndësinë e themelimit të këtij Fakulteti 38 vite më parë, dhe të arriturat e tij sot.
“Kjo ditë dhe datë është e shënuar në analet e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, po edhe të Universitetit të Prishtinës e më gjerë. Vërtetë ngjarjet janë ato që duhet nga gjenerata në gjeneratë të kujtohen, kurse vlerat, sukseset dhe të arriturat të numërohen dhe lartësohen”, tha Selimi.
Për fillet e themelimit të këtij Fakulteti foli edhe profesori Arsim Fehmiu, i cili theksoi se 38 vite më parë, Fakulteti i Kulturës Fizike në atë kohë, u bë i dhjeti me radhë që u hap në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Fehmiu foli edhe për vështirësitë, por edhe për përkushtimin e të gjitha gjeneratave të stafit akademik dhe studentor të kësaj njësie akademike.
Ndërkaq, profesori amerikan Ed Cooper përgëzoi drejtuesit dhe studentët e këtij Fakulteti për arritjet e tyre në këto vite, si dhe për bashkëpunimin e mirë të ndërtuar me universitetet jashtë Kosovës.
Pjesa e dytë e kësaj ceremonie u rezervua për promovimin e monografisë së punimit të doktoratës të profesorit të këtij Fakulteti, Azizi Dujaka, të botuar në Shtëpinë Botuese Gjermane LAP-LAMBERTA Academic Publishing. Për këtë sukses, Dujaka u shpërblye me mirënjohje nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema.
Në fund, dekani Musa Selimi ka ndarë mirënjohje për protagonistët kryesorë që kontribuuan në këto 38 vite të ekzistimit dhe ngritjes së Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit.