Fakulteti i Edukimit 2025: 19 punime shkencore dhe 9 konferenca të financuara me 24,043 euro nga UP-ja
Gjatë vitit 2025 personeli akademik i Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës publikoi 19 punime shkencore dhe mori pjesë në 9 konferenca, me mbështetje financiare nga Universiteti i Prishtinës në shumën prej 24,043 eurove.
Viti 2025 për Fakultetin e Edukimit ishte vit i vazhdimit të avancimit në fushën e kërkimit shkencor, mësimdhënies, ndërkombëtarizimit e bashkëpunimit.
Gjatë këtij viti, personeli akademik publikoi 19 punime shkencore në revista të indeksuara në „Web of Science” dhe „Scopus”, prej të cilave 7 punime në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI të „Web of Science” dhe 10 punime në „Scopus”, të shpërndara në kuartilet Q1–Q4 (2 në Q1, 2 në Q2, 5 në Q3 dhe 1 në Q4). Gjithashtu, u botuan edhe dy kapituj shkencorë në shtëpi botuese të indeksuara në „Web of Science”.
Universiteti i Prishtinës i ndau kësaj njësie akademike13,900 euro për publikimet shkencore dhe 10,143 euro për pjesëmarrjen në 9 konferenca shkencore ose organizimin e tyre. Gjashtë nga konferencat ku u përfshi personeli akademik i Fakultetit të Edukimit ishin ndërkombëtare, dy rajonale dhe 1 kombëtare.
Ky fakultet në renditjen e platformës së njohur ndërkombëtare „Times Higher Education”, që vlerëson mësimdhënien, ambientin e cilësinë e hulumtimit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe lidhjen me industrinë, është pozicionuar më së larti nga të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës, duke hyrë në mesin e 600 institucioneve më të mira në botë të fushës së edukimit.
Fakulteti që kryen misionin e shenjtë të aftësimit të mësuesve dhe arsimtarëve për arsimin parafillor, fillor dhe të mesëm, i kushtoi kujdes të veçantë vazhdimit të pajisjes me mjetet më moderne të mësimdhënies në kohën e zhvillimeve të hovshme teknologjike dhe inteligjencës artificiale, duke përuruar „EdTech Studion” pikërisht në Ditën e Mësuesit, më 7 mars 2025.
Personeli akademik dhe studentët e Fakultetit të Edukimit morën pjesë gjatë tërë vitit edhe në shumë punëtori dhe projekte ndërkombëtare e rajonale.