Fakulteti i Arteve i UP-së përmbyll vitin akademik me ekspozitë të studentëve
Viti akademik për studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po përmbyllet me një ekspozitë me punimet e tyre, të cilat janë krijuar përgjatë këtij viti akademik.
Ekspozita u hap sot në ambientet e Fakultetit të Arteve, klasat e të cilit u shndërruan në galeri artesh për prezantimin e krijimeve të këtyre studentëve. Hapjen e kësaj ekspozite e bëri dekani i këtij Fakulteti, prof. Agim Selimi. Dekani në fjalën e tij tha që kjo ekspozitë është rezultat i sukseseve të studentëve në këtë vit akademik. Ai, po ashtu, u shpreh shumë i lumtur që sot formalisht po finalizohet kjo punë e suksesshme e këtyre studentëve dhe stafit akademik të kësaj njësie akademike të UP-së.
Në këtë ekspozitë e pranishme ishte edhe prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare e UP-së, prof. dr. Teuta Pustina. Ajo i përgëzoi studentët për punën që kanë bërë, por edhe stafin akademik që kanë punuar më ta, në mënyrë që të gjithë sot të gëzohemi me të arriturat e tyre.
Po ashtu, për studentët më të dalluar u ndanë edhe mirënjohje. Në mesin e këtyre studentëve të shpërblyer me mirënjohje është edhe Bedri Hajrizi, student në Degën e Skulpturës. Ai tha qe është tejet i lumtur që përfundimin e studimeve po e përmbyll me këtë sukses, si dhe falënderoi gjithë stafin e profesorëve për punën që kanë bërë me të.
Kjo është ekspozita e shtatë me radhë e realizuar përgjatë këtij viti nga Fakulteti i Arteve. Ekspozita do qëndroj e hapur për publikun deri të premten.