Është shënuar Dita e Administratës në UP

Është shënuar Dita e Administratës në UP

Administrator Administrator 24 prill 2024 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës ka shënuar Ditën e Administratës, ku në këtë ditë nderohet kontributi i  stafit administrativ. 

Në fjalën hyrëse, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Qerim Qerimi, theksoi rolin jetik që ka stafi administrativ për universitetin dhe theksoi objektivat që UP-ja ka për ofrimin e programeve që synojnë fuqizimin e stafit. 

“Stafi administrativ është pjesë qenësore e institucionit tonë, individë të përkushtuar që punojnë pa u lodhur në prapaskenë, për të siguruar mbarëvajtjen e çdo aspekti të jetës universitare. Pavarësisht nëse është puna me studentë apo ofrimi i shërbimeve thelbësore mbështetëse, angazhimi dhe puna juaj e palodhur përbëjnë themelin, mbi të cilin qëndron universiteti ynë”.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës, z. Besfort Krasniqi, theksoi rolin e mbështetjes institucionale për stafin administrativ.

“Sot, ne ritheksojmë angazhimin tonë për të njohur dhe nderuar punën e palodhur, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre. Ndërsa festojmë Ditën Ndërkombëtare të Administratës, le të riafirmojmë angazhimin tonë për të nxitur një kulturë vlerësimi, mbështetjeje dhe njohjeje për stafin tonë administrativ. Le të vazhdojmë të mbështesim kontributet e tyre të paçmueshme dhe të sigurojmë që ata të ndihen të vlerësuar, të respektuar dhe të fuqizuar brenda komunitetit tonë universitar”.

Ceremoninë e përshëndeti dhe shefi i personelit, z. Fidan Hamiti, i cili prezantoi të arriturat që janë bërë në ofrimin e programeve që synojnë ngritjen e kapaciteteve të stafit administrativ dhe rritjen e kohezionit grupor.

“Duke kuptuar rëndësinë e përditësimit të vazhdueshëm të aftësive dhe njohurive në një botë që ndryshon me shpejtësi, ne kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm, për të siguruar që personeli ynë administrativ të ketë mundësinë të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme. Në këtë drejtim, kemi organizuar trajnime, vizita studimore, kurse gjuhësore dhe shumë të tjera që kanë pajisur stafin tonë me mjetet dhe njohuritë për të përballuar sfidat e vazhdueshme të roleve të tyre dhe për të kontribuar në rritjen personale, profesionale dhe motivimin e tyre”.

Ceremoninë e nderoi me një videomesazh dhe Asociacioni Ndërkombëtar i Profesionistëve Administrativë (IAAP), të cilët çmuan rolin e stafit dhe përshëndetën kontributin e tyre.

Poashtu, kësaj ceremonie i shtoi vlerë dhe performanca e pikës muzikore “Dieter Wendel Suite for Brass”, performuar nga studentët e Fakultetit të Arteve.

UP-ja falënderon gjithë stafin administrativ për punën e palodhshme dhe angazhimin domethënës për Universitetin e Prishtinës. 

UP-ja falënderon prodekanen prof. Rreze Kryeziu-Breznica, prof. Betim Krasniqi, prof. Latif Hasolli, prof. Durim Kryeziu dhe prof. Blerim Gjinovci për kontributin e tyre të vlefshëm në realizimin e kësaj ceremonie.