Është mbajtur punëtoria dyditore për shndërrimin e aftësive në mundësi për të gjeneruar të ardhura

Është mbajtur punëtoria dyditore për shndërrimin e aftësive në mundësi për të gjeneruar të ardhura

Administrator Administrator 31 mars 2026

Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës, në bashkëpunim me Tertini Method, organizoi punëtorinë dyditore me titull „Nga Aftësia në të Ardhura: Si të Strukturosh Idetë dhe t’i Kthesh në Vlerë që Shitet”, e mbajtur më 25 dhe 26 mars 2026.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Qendrës për Zhvillim të Karrierës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës „Pjetër Bogdani” dhe mblodhi një numër të konsiderueshëm studentësh të interesuar për zhvillimin e aftësive personale dhe orientimin e tyre drejt tregut të punës.

Qëllimi i punëtorisë ishte të mbështesë pjesëmarrësit në identifikimin e aftësive individuale dhe transformimin e tyre në mundësi konkrete për gjenerimin e të ardhurave, nëpërmjet një qasjeje të strukturuar dhe të orientuar drejt praktikës.

Gjatë ditës së parë, fokusi u vendos në identifikimin e aftësive me vlerë në treg, analizimin e njohurive që mund të shndërrohen në shërbime konkrete, si dhe strukturimin e ideve bazuar në kompetencat personale. Pjesëmarrësit punuan gjithashtu në zhvillimin e mënyrave për prezantimin profesional të vetes dhe të aftësive të tyre.

Dita e dytë u përqendrua në aspektin praktik të monetizimit të këtyre aftësive, duke trajtuar tema si transformimi i njohurive në shërbime të pagueshme, ndërtimi i ofertave konkrete, komunikimi i vlerës te klientët potencialë dhe hapat fillestarë për gjenerimin e të ardhurave nga kapitali personal i dijes.

Punëtoria u udhëhoq nga Ardian Tertini, themelues i Tertini Method, i cili me anë të përvojës së tij në zhvillimin personal dhe profesional, prezantoi një qasje të drejtpërdrejtë dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete në treg.

Programi u zhvillua mbi një metodologji të integruar që kombinon shpjegime teorike me ushtrime praktike, diskutime interaktive dhe shembuj konkretë nga tregu. Kjo qasje kontribuoi në krijimin e një ambienti bashkëpunues, duke u mundësuar pjesëmarrësve të angazhohen aktivisht dhe të zhvillojnë aftësi të aplikueshme në kontekste reale profesionale.

Tertini Method, si platformë e specializuar në trajnime dhe zhvillim profesional, kontribuon në fuqizimin e individëve nëpërmjet programeve të fokusuara në aplikimin praktik të aftësive, duke u bazuar në parimin se vlera e tyre realizohet me anë të strukturimit dhe përdorimit të qëndrueshëm në treg.

Në përfundim të punëtorisë, pjesëmarrësit u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje dhe vlerësuan pozitivisht përmbajtjen dhe qasjen praktike të trajtimit.

Ardian Tertini - trajner dhe themelues i Tertini Method, theksoi: “Qëllimi i kësaj punëtorie është që çdo pjesëmarrës të fitojë qartësi mbi aftësitë që posedon dhe mënyrën se si mund t’i kthejë ato në vlerë konkrete në treg”.

Valëza Bekolli - studente e Fakultetit Ekonomik, drejtimi Banka, Financa dhe Kontabilitet (Viti III), tregoi se si i ndihmoi punëtoria: “Përmes kësaj punëtorie arrita të kuptoj më mirë potencialin tim dhe mënyrën se si mund ta strukturoj atë në ide konkrete dhe të realizueshme”.

Ardit Beqiri - student i Fakultetit Ekonomik, drejtimi Menaxhment (Viti III), theksoi se “Punëtoria ishte shumë praktike dhe motivuese, duke më dhënë një perspektivë të qartë për hapat që duhet të ndërmarr drejt zhvillimit profesional”.

Në përmbyllje të trajnimit, pjesëmarrësit, me mbështetjen e trajnerit, hartuan një dokument orientues individual, i cili përmbledh strukturimin e aftësive të tyre, idetë për shërbime konkrete dhe hapat fillestarë për hyrje në treg. Dokumenti mund të shkarkohet këtu.

Kjo punëtori është pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme të Universitetit të Prishtinës për të mbështetur zhvillimin profesional të studentëve dhe për të rritur përgatitjen e tyre për tregun e punës.

Ky aktivitet është mbështetur nga Tertini Method dhe Institute for Peace and Security / Instituti për Paqe dhe Siguri.