Ekspertë dhe studentë të UP-së kujdesen për qetësinë e mendjes në „Sunny Hill”

Ekspertë dhe studentë të UP-së kujdesen për qetësinë e mendjes në „Sunny Hill”

Administrator Administrator 2 gusht 2025 Arkivuar

Instituti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës ka kënaqësinë të njoftojë bashkëpunimin me Festivalin „Sunny Hill” për zhvillimin e një chatboti për ndihmë të parë psikologjike (NPP), i cili synon të ofrojë mbështetje të menjëhershme psikoedukative për ata që kanë vështirësi emocionale.

Chatboti është zhvilluar në mënyrë vullnetare nga stafi akademik i Institutit të Psikologjisë për të ofruar mbështetje psikologjike joklinike dhe orientuese. Festivali „Sunny Hill” ka mundësuar implementimin teknik duke mbuluar të gjitha shpenzimet e zhvillimit dhe dizajnit të faqes së internetit.

Përveç chatbotit, studentë vullnetarë nga Departamenti i Psikologjisë i UP-së do të jenë të pranishëm në ngjarjen më të rëndësishme muzikore të vendit, për të ofruar mbështetje dhe psikoedukim për këdo që ka nevojë gjatë festivalit, në një tendë të dedikuar.

Jemi veçanërisht të lumtur që Dua Lipa e përmendi këtë nismë dhe kontributin e Universitetit të Prishtinës gjatë festivalit, duke vlerësuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor dhe fuqinë e bashkëpunimit mes artit, akademisë dhe komunitetit.

Jemi krenarë që, si Universitet i Prishtinës, mund të kontribuojmë për mirëqenien e komunitetit tonë nëpërmjet inovacionit, solidaritetit dhe mjeteve të bazuara në shkencë.