Ekipi i volejbollit i UPHP-së, fitues i vendit të dytë në garën “EURO MILANO 2018”

Administrator Administrator 4 maj 2018 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pritur sot me një ceremoni solemne ekipin fitues në garën e volejbollit “Euro Milano 2018 - Inernational Inter Universities Tournament”, mbajtur në Itali.

Ekipi i vajzave të Universitetit të Prishtinës, në mesin e universiteteve nga 18 vendeve të Evropës, përfshirë këtu Republikën Çeke, Kroacinë, Italinë, Spanjën, e shumë të tjera, ka dalë finalist, duke u kthyer me kupën e vendit të dytë dhe medalje të argjendta nga kjo garë. Për këtë sukses ato u shpërblyen sot me mirënjohje nga Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema.

Rektori i UPHP-së, prof. dr. Marjan Dema, konsideroi që ky sukses është arritje, jo vetëm për Universitetin, por për gjithë vendin.
“Të rangohesh i dyti në nivel kontinental është një sukses i jashtëzakonshëm. Jam shumë i lumtur që janë pikërisht vajzat e Universitetit të Prishtinës ato që na e sollën këtë kupë, çmim i cili dëshmon edhe më tepër për cilësinë e studimeve në Universitetin tonë. Fakulteti i Sportit ka bërë shumë që të tilla çaste krenarie të përjetojmë edhe në të kaluarën si shoqëri, e ju garantoj që do të bëhet edhe më tepër në vazhdimësi, duke pasur çdo herë përkrahjen e menaxhmentit të UP-së në këtë drejtim,” ka thënë Rektori Dema.

Ndërkaq, dekani i FEFS-it, prof. Musa Selimi përgëzoi vajzat për punën dhe suksesin e arritur. Dekani Selimi, ndër të tjerash, njoftoi edhe për botimin e punimit të doktoratës të dr. sci. Florian Miftarit nga shtëpia më e njohur botuese gjermane „Lambert Academic Publishing”, për çka Miftari u shpërblye me mirënjohje nga ana e Rektorit Dema.

Së fundi, kapitenia e ekipit të vajzave, Agnesa Statovci tha se ndjehet shumë e lumtur për sukseset që vajzat e këtij ekipi po i korrin në vazhdimësi.
Është kënaqësi të jem pjesë e këtij ekipi, pikërisht për mundin dhe dëshirën e madhe me të cilën ne punojmë”, është shprehur kapitenia. Ajo shtoi që ky nuk është suksesi i parë i këtij ekipi, i cili çdo herë ka hyrë në zonën e medaljeve në kompeticione të tilla ndërkombëtare.

Shoqata sportive “Euro Sport Events” është organizatore e "EURO MILANO 2018”, turne ky ndërkombëtar për universitetet nga e gjithë bota.