DOKUFEST ME FILMA FALAS PËR STUDENTËT E FILMIT TË UP-së
Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe DokuFest kanë lidhur bashkëpunim në kuadër të edicionit të 19-të të këtij festivali, i pari që po mbahet në sferën digjitale. Përmes këtij bashkëpunimi, DokuFest do të u mundësojë të gjithë studentëve dhe profesorëve nga programi Regji Filmi në UP, qasje pa pagesë në të gjithë programin dhe pakot filmike, të cilat janë pjesë e programit të edicionit të sivjetmë të DokuFest.
I lumtur për këtë iniciativë mes DokuFest dhe Fakultetit të Arteve u shpreh edhe profesori dhe regjisori Ismet Sijarina. “Përmes kësaj platforme, studentët dhe profesorët do të kenë mundësi, që t’i shohin disa nga filmat më të suksesshëm vendorë dhe ndërkombëtarë të vitit, të cilët janë pjesë e programit të “DokuFest”.
Sijarina u shpreh i kënaqur me këtë bashkëpunim duke theksuar se bashkëpunimet me DokuFest do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Njëkohësisht, besojmë se këta filma studentëve tanë do të mund t’u shërbejnë si referencë e mirë për punën e tyre krijuese në të ardhmen. DokuFesti dhe Programi Regji Filmi planifikojnë që ta intensifikojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen”, ka theksuar profesori Sijarina.
Për të parë filmat, studentët duhen të krijojnë një llogari në platformën online të DokuFest dhe që pas do të kenë qasje në pakot dhe kombinimet filmike apo në kategorinë e filmave individualë.