Dita e pestë e Universitetit Veror: Udhëtim nëpër kujtesën e Kosovës dhe përmbyllje e Festivalit UPward
Edhe dita e pestë e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës nisi me ligjëratat e paradites për të vazhduar me aktivitete të ndryshme që u lidhën me kujtesën, historinë, diasporën dhe filmat e shkurtër. Ja ngjarjet që ndodhën të premten:
Vizitat në muzeun „Çast” dhe në Reporting House
Studentët ndërkombëtar dhe vendor që po ndjekin kurset e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës vizituan muzeun „Çast” të Fondacionit Jahjaga, që u kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Aty u njohën me një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së Kosovës, përmes rrëfimeve të mbledhura nga të mbijetuarat e këtij krimi.Vizita në Reporting House
Për një pjesë të historisë së ruajtur e të shkëputur nga mediat në dhjetëvjetëshin shumë të vështirë të Kosovës (1989-1999) studentët morën informata në Reporting House.
Bashkëbisedimi për diasporën
Zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Liza Gashi, bashkëbisedoi me studentët e ardhur nga jashtë dhe shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës për të larguarit nga Kosova në periudha të ndryshme kohore.
Tha se diaspora kosovare është e re dhe shumë e lidhur emocionalisht me vendin e origjinës. Tregoi se jashtë Kosovës jetojnë 1 milion kosovarë.
Përfundimi i Festivalit UPward
Festivali i Filmit Studentor UPward u përmbyll me shfaqjen e disa filmave, një sesioni të pyetje-përgjigjeve me fimbërësit dhe ndarjen e certifikatave, ndërsa një ligjëratë të hapur e mbajti gjatë ditës profesori spanjoll Ricardo Spencer de Albuquerque që tregoi se si mund të bëhen efekte speciale në filma me pak buxhet.
Të shtunën e të dielën janë paraparë ekskursione nëpër vende e ambiente interesante të Kosovës.