Dita e katërt e Universitetit Veror: Profesori Goddard prezanton gjetjet arkeologjike dhe historinë e Ulpianës

Dita e katërt e Universitetit Veror: Profesori Goddard prezanton gjetjet arkeologjike dhe historinë e Ulpianës

Administrator Administrator 11 korrik 2025 Arkivuar

Prishtinë, 10 korrik - Krahas ligjëratave të rregullta të paradites, pasditen e 10 korrikut profesorët që po mbajnë kurse në Universitetin Ndërkombëtar Veror të Prishtinës ndoqën shpjegimet e profesorit francez Christophe Godard për lokalitetin antik të Ulpianës.

Në vendin ku arkeologët mendojnë se Perandori Justinian rindërtoi Ulpianën, profesori Christophe Goddard u shpjegoi profesorëve vizitorë të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës gjithçka rreth gjetjeve dhe historisë së lokalitetit të lashtë. 

I vendosur pranë një tavoline të thjeshtë druri nën hijen e disa pemëve dhe me një llaptop ku tregonte fotografi nga gjetjet disavjeçare në Lokalitetin Arkeologjik „Ulpiana”, profesori i École Normale Supérieure të Parisit, e nisi ligjëratën për rrugën që bëjnë artefaktet nga vendi i gjetjes deri te muzetë. 

Duke analizuar mbetjet e ndryshme të qeramikës nga enët e dikurshme, ai përcaktonte shkencërisht se në cilën periudhë historike janë përdorur këto enë. 

Profesori Goddard shpjegoi se Ulpiana u braktis pas një tërmeti shkatërrues të vitit 518 që u pasua nga vërshime të shumta.  

Pastaj ekspedita e profesorëve u ndal te bazilika më e madhe e antikitetit në Ballkan dhe te mozaikut dhe mbishkrimit të zbuluar në vitin 2023 nga ekipi i udhëhequr pikërisht nga Goddard dhe profesori i Departamentit të Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Arben Hajdari. 

Profesori Goddard tregoi veçantitë e mozaikut dhe Parkut Arkeologjik „Ulpiana”. Tha se të gjitha materialet ndërtuese këtu janë vendëse, bile edhe zbukurimet janë bërë me vizatim të zogjve të këtushëm. 

Profesorët ndërkombëtarë vizituan edhe pjesë tjera të qytetit të lashtë, duke ndjekur me shumë interesim informatat për jetën e atëhershme. 

Gjatë ditës u shfaqën filma të shkurtër në Festivalin e Filmit Studentor UP-ward, ndërsa me vizitën në Ulpianë përfunduan aktivitetet e ditës së katërt të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës.