Diskutohet për mundësi të shumta të bashkëpunimit në mes UP-së dhe Universitetit të Iowa-s

Administrator Administrator 30 qershor 2017 Arkivuar

Downin Thomas, dekan për programe ndërkombëtare në Universitetin e Iowa-s, në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte mysafir i Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema.

Qëllimi i këtij takimi, i cili u zhvillua në zyrën e Rektorit Dema në Rektorat, ishte krijimi i mundësive të reja të bashkëpunimit në dobi të studentëve të të dyja universiteteve.

Rektori Dema falënderoi dekanin për vizitën që i ka bërë Universitetit të Prishtinës. Ai tha që menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës është në proces të krijimit të standardeve, të cilat do të sigurojnë cilësi më të lartë në këtë institucion. Njëherësh, Rektori Dema shprehi vendosmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin me Universitetin e Iowa-s, dhe gatishmërinë e tij për thellim të këtij bashkëpunimi.

Në anën tjetër, z. Thomas tha që historia e UP-së është impresionuese, madje i tillë është edhe fakti që në këtë Universitet diplomohen pjesa dërmuese e popullatës së Kosovës. Tutje ai foli për disa praktika në Universitetin nga ai vjen, të cilat mund të implementoheshin edhe në UP.

Me qellim të thellimit të bashkëpunimit, Dekani Thomas ftoi menaxhmentin e UP-së që të vizitoj sa më parë Universitetin e Iowa-s.