Diplomon studentja e parë në programin tërësisht në gjuhën angleze në UP

Diplomon studentja e parë në programin tërësisht në gjuhën angleze në UP

Administrator Administrator 18 tetor 2018 Arkivuar

Me datë 16 tetor, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", diplomoi studentja e parë në programin Baçelor në Applied Economics and Management (Ekonomiks dhe Menaxhment i Aplikuar), i cili mbahet tërësisht në gjuhën angleze.

Studentja Flutra Smailhasanaj e mbrojti me sukses temën e diplomës me titull ‘Factors Influencing Career Choice and Aspirations of Undergraduate and Graduate Students’, me mentor Prof. Dr. Besnik A. Krasniqi.

Gjenerata e parë në programin Baçelor në Ekonomiks dhe Menaxhment të Aplikuar është pranuar në vitin akademik 2015/2016. Ky program është i ngjashëm me programin studimor të Universitetit “Johann Kepler” të Linzit dhe është zhvilluar nga bashkëpunimi i stafit të Fakultetit Ekonomik dhe dy universiteteve të tjera evropiane: “Universiteti G.D. Annunzio” në Itali dhe Universiteti i Nicës “Sofia Antipolis”.

Qëllimi i këtij programi është të përgatisë të diplomuarit për të qenë më konkurrentë në tregun e punës në Kosovë, regjion dhe më gjerë.  Ky program studimor është i pari në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë dhe regjion, që ligjërohet në gjuhën angleze nga profesorë vendorë dhe që i kontribuon ndërkombëtarizimit të Universitetit të Prishtinës, duke i krijuar kështu mundësi më të shpejtë Kosovës për integrim në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë.

Për më tepër, studentë të shumtë të këtij programi, deri më tani, kanë pasur rastin të marrin pjesë në shkëmbime të ndryshme njësemestrale në universitete të ndryshme prestigjioze në Finlandë, Itali, Francë, Poloni etj. Po ashtu, ky program ka pasur dhe vijon të pranojë studentë nga vende të ndryshme te Evropës dhe më gjerë për studime njësemestrale.