DIPLOMON GJENERATA E IV-TË E STUDENTËVE TË UP-SË NË INSTITUTIN LIMAK PËR SHËRBIME AEROPORTUALE
Më një ceremoni solemne të mbajtur në Universitetin e Bogazicit në Stamboll të Turqisë, është shënuar diplomimi i tridhjetë studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pjesë e gjeneratës së IV-të të programit Akademisë se Aviacionit Civil të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës - LIMAK ASI.
UP në këtë ceremoni është përfaqësuar nga prorektori për zhvillim dhe cilësi, prof. dr. Hysen Bytyqi.
Prorektori Bytyqi iu drejtua të pranishmëve me fjalë rasti, ku ka theksuar se UP është shumë i përkushtuar që duke zbatuar Planin Strategjik, të vazhdojë rrugëtimin drejt transformimit në një universitet të njohur globalisht për profesionalizëm, mësimdhënie cilësore dhe hulumtim.
“Në Planin Strategjik të UP-së, në mesin e objektivave të tjera, parashihet edhe lidhja e bashkëpunimit me tregun e punës për sigurimin e praktikave dhe ndihmesën në zhvillimin në karrierë të studentëve dhe të diplomuarve tanë. Bashkëpunimet e tilla si kjo me LIMAK ASI janë shembull të praktikave që duhet t’i promovojmë në vazhdimësi” tha prorektori Bytyqi.
Prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, z. Bytyqi, ndër të tjerash përcolli urimin e Rektorit Dema për studentët dhe organizatorët e këtij programi, pas përfundimit të suksesshëm të tij. Ai u zotua se menaxhmenti i UP-së do të vazhdojë të jetë promotor i këtij bashkëpunimi edhe për gjeneratat në vijim.
Përveç prorektorit Bytyqi, delegacioni i UP-së përbehej edhe nga dekanët: prof. dr. Tahir Arbneshi, prof. asoc. dr. Haxhi Gashi, prof. dr. Enver Hamiti, prof. sc. Ahmet Shala, si dhe z. Shkumbin Tafilaj - këshilltar për Karrierë në Qendrën për Zhvillim të Karrierës në UP.
Limak ASI është iniciuar nga Limak Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari" dhe organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universitetin Bogazici nga Turqia dhe Institutin ENAC në Francë. Limak ASI është themeluar ne vitin 2015 me qellim të përkrahjes së studentëve UP-së, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e trajnimeve për menaxhment dhe shërbime aeroportuale. Deri me tani janë organizuar katër grupe me 120 pjesëmarrës.
