Departamenti i Psikologjisë në UP shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës dhe Bulizmit në Shkolla me lansimin e një studimi rreth këtij fenomeni
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës në Shkolla, Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka lansuar rezultatet e një studimi mbi dhunën dhe viktimizimin në mesin e nxënësve të shkollave fillore në Kosovë. Ky studim është zhvilluar me mbi 12.167 nxënës në 13 komuna të Kosovës dhe në 100 shkolla, që e bën një nga studimet më të mëdha të bëra ndonjëherë në vend.
Rezultatet e këtij studimi dëshmojnë për prezencë të të gjitha formave të dhunës në shkollat fillore të Kosovës, përfshirë dhunën fizike, psiqike dhe atë seksuale, të ushtruar nga bashkëmoshatarët dhe mësimdhënësit. Gjetjet e studimit vëjnë në pah disa nga faktorët mbrojtës dhe rrezikues në shkolla që ndërlidhen me viktimizimin e nxënësve. Më saktësisht, gjetjet dokumentojnë se raportet pozitive të nxënësve me mësimëdhënës dhe rregullat e qarta kundër dhunës në shkollë shoqërohen me nivele më të ulëta të viktimizimit. Komunikimi i dobët në familje shoqërohet me nivele më të larta të viktimizimit dhe nxënësit që raportojnë çfarëdo lloj viktimizimi raportojnë edhe nivele më të larta të distresit psikologjik, që mund të jetë rrezik për zhvillim të problemeve të shëndetit mendor. Gjetjet e studimit konstatojnë se në Kosovë ka një bazë të mirë ligjore për parandalimin dhe ndalimin e dhunës në shkolla, por njëkohësisht mungon zbatueshmëria e strategjive apo rregulloreve ekzistuese, që do të ndihmonin në adresimin e këtij fenomeni.
Sipas këtij studimi, lajmi i mirë është që dhuna në shkolla mund të parandalohet dhe për këtë ka dëshmi shkencore se mund të arrihet edhe në vendet më të varfëra në botë, përmes programeve të bazuara në evidencë. Disa nga rezultatet e këtij studimi mund t’i gjeni në dokumentin e bashkangjitur. Rezultatet e plota të këtij studimi do të publikohen në fillim të dhjetorit në një publikim të veçantë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Për hulumtimin klikoni KËTU.