Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës prezantoi punimet e tyre semestrale

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës prezantoi punimet e tyre semestrale

Marigone Vrajolli 14 qershor 2023 Arkivuar

Në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, studentët e vitit të III-të dhe të IV-të të departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze prezantuan punimet e tyre semestrale.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin rektori i Universitetit të Prishtinës, dr. Qerim Qerimi, dekanja e Fakultetit Filologjik, prof. dr. Lindita Rugova, udhëheqësja e departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, prof. ass. dr. Blerta Mustafa, ekipi mbështetës i punës semestrale të departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, MA. Yllkë Paçarizi dhe MA. Rina Krasniqi, bija e pronarit të shkollës Hertica, Azemine Aliu dhe studentë nga Fakulteti Filologjik.

Prof. ass. dr. Blerta Mustafa mbajti fjalën hyrëse ku theksoi përkushtimin ndaj akademisë dhe gatishmërinë e saj në punën në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze.

Gjatë kësaj ngjarjeje, rektori Qerimi mbajti një fjalim në të cilën reflektoi për rrugëtimin e tij nga Universiteti i Prishtinës në Harvard, duke theksuar mundësitë e shumta që kanë studentët e UP-së për zhvillim të mëtejshëm akademik dhe profesional. Në fund, rektori Qerimi theksoi gatishmërinë e tij për të ofruar mbështetje institucionale për studentët dhe falënderoi stafin për përpjekjet e palodhura.

Dekanja Rugova shprehu falenderimet për punën e studentëve dhe stafit. Ajo në veçanti përgëzoi Blerta Mustafën për punën reformuese në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze.  

Studentët e vitit të IV-të, përmes posterëve, prezantuan hulumtimet e bëra për integritetin akademik dhe vlerësimin në UP. Kjo nxiti diskutime mes studentëve dhe profesorëve për hapat e ardhshëm që Universiteti i Prishtinës duhet t’i ndërmarrë për ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe nxënies në UP.

Ndërsa studentët e vitit të tretë lansuan ueb faqen dedikuar shkollës shtëpi Hertica, duke paraqitur sakrificën, përkushtimin dhe dashurinë pa kufi të familjes Hertica për të kontribuar në mbijetesën e sistemit të arsimit në vitet e 90-ta.  E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe Azemine Aliu, bija e pronarit të shkollës Hertica, e cila me modesti i quajti mësimdhënësit dhe studentët si heronjtë e vërtetë të  sistemit të arsimit gjatë asaj kohe.  

Për detaje mbi ueb faqen e shkollës shtëpi Hertica, klikoni lidhjen: https://sites.google.com/student.uni-pr.edu/hertica-school-house/home