Delegacioni nga Save the Children viziton UP-në para simpoziumit të përbashkët

Delegacioni nga Save the Children viziton UP-në para simpoziumit të përbashkët

Administrator Administrator 16 shtator 2025 Arkivuar

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës u pritën Dr. Vesna Leskošek profesoreshe në Fakultetin e Punës Sociale, Universiteti i Ljubljanës, Slloveni dhe Carly McCusker, drejtoresha globale për mbrojtjen, programimin etik dhe avokimin në Save the Children International.

Gjatë vizitës, zonja McCusker u shoqërua edhe nga prof. Asoc. Vjollca Krasniqi, kryetare e Bordit të Save the Children Kosova si dhe drejtori ekzekutiv i kësaj organizate në Kosovë, z. Ahmet Kryeziu.

Mysafirët u pritën nga prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj.

Në takim, prorektorja Gjelaj bashkë me Vjollca Krasniqin, që është edhe profesoreshë në Departamentin e Punës Sociale të Fakultetit Filozofik në UP, i njoftuan mysafiret për historikun, arritjet, programet e studimeve dhe synimet e Universitetit të Prishtinës për të ardhmen.

Save the Children Kosova bashkë me Universitetin e Prishtinës do të organizojnë më 17 shtator në Fakultetin e Edukimit Simpoziumin Ndërkombëtar „Fuqizimi i Praktikave të Mbrojtjes së Fëmijëve dhe të Rriturve të Cenueshëm dhe Rritja e Ndërgjegjësimit të Komunitetit në Kosovë”. Në këtë simpozium do të marrë pjesë edhe Vesna Leskosek, udhëheqëse e Katedrës së Shkencave Shoqërore dhe të Drejtësisë në Fakultetin e Punës Sociale të Universitetit të Lubjanës.

Kjo ngjarje e rëndësishme organizohet si rezultat i memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 2023 mes Universitetit të Prishtinës dhe Save the Children Kosova.

Organizata Save the Children International, e themeluar në vitin 1919, angazhohet për përmirësimin e jetës së fëmijëve nga mbarë bota, duke u fokusuar në shëndet, edukim dhe mbrojtje të tyre.