Delegacioni i UP-së pritet në takim nga ambasadori i Kosovës në Turqi, z. Spahiu

Administrator Administrator 15 tetor 2018 Arkivuar

Një delegacion nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, i udhëhequr nga prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. dr. Hysen Bytyqi, ka vizituar Ambasadën e Kosovës në Turqi, ku kanë zhvilluar takim me ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Avni Spahiun.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për bashkëpunimin e Republikës së Kosovës më atë të Turqisë në fushën e arsimit të lartë, në veçanti është folur rreth partneritetit të UP-së, LIMAK-ut dhe Universitetit Bogazici, Stamboll, në kuadër të programit të Akademisë se Aviacionit Civil të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës - LIMAK ASI.

Në këtë takim, prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. dr. Hysen Bytyqi, shprehi falënderimin e menaxhmentit të Universitetit për përkrahjen e dhënë nga diplomacia së Republikës së Kosovës për zhvillimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë në Turqi, ku janë ofruar mundësi të reja për studime dhe punësim të studentëve dhe të të diplomuarve të UP-së.

Në anën tjetër, ambasadori i Kosovës në Turqi, z. Spahiu, në fjalën e tij mirëseardhëse, përgëzoi menaxhuesit e Universitetit të Prishtinës për punën e jashtëzakonshme që kanë realizuar drejt krijimit të urave të bashkëpunimit në shkëmbimin e vlerave akademike dhe atyre të tregut të punës me Republikën e Turqisë.

Përveç prorektorit Bytyqi, delegacioni i UP-së përbehej edhe nga dekanët: prof. dr. Tahir Arbneshi, prof. asoc. dr. Haxhi Gashi, prof. dr. Enver Hamiti,  prof. sc. Ahmet Shala, si dhe z. Shkumbin Tafilaj - këshilltar për Karrierë në Qendrën për Zhvillim të Karrierës në UP.

Ky takim është zhvilluar në kuadër të vizitës së delegacionit të UP-së në Turqi, me rastin e organizimit të ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së IV-të në kuadër të programit të Akademisë se Aviacionit Civil të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ku kanë diplomuar 30 studentë të UP-së në shërbime aeroportuale.