Delegacioni i OSBE-së informohet për Programin e Ballkanistikës në UP
Zyrtaret e larta të Misionit të OSBE-së në Kosovë gjatë vizitës në Universitetin e Prishtinës u interesuan në lidhje me të rejat rreth Programit të Ballkanistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Ato u informuan se UP-ja është në proces për të plotësuar dy pozita për mësimdhënës sipas konkursit të këtij programi të hapur në shtator. Plani i Universitetit të Prishtinës është që të sigurohet akreditimi dhe të hapet thirrja për studentë të rinj në vitin akademik 2026/’27 edhe në Programin e Ballkanistikës.
Programi i Ballkanistikës nuk duhet të kufizohet vetëm në aftësimin e njerëzve për përkthim në gjuhët e fqinjëve, por prej tij duhet të dalin edhe njohës të kulturës, historisë e traditave të popujve ballkanikë.
Zyrtaret e Misionit të OSBE-së e informuan menaxhmentin e UP-së në lidhje me përfundimet e nxjerra nga vizita e Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp në Kosovë gjatë muajit gusht 2025, kur z. Kamp vizitoi edhe Universitetin e Prishtinës. Ato treguan se komisioneri do të ketë prioritet në punën e tij arsimimin, gjuhët dhe historinë e kontestuar në Kosovë e përtej.
Ndërsa nga drejtuesit e UP-së u theksua nevoja e integrimit të të gjitha komuniteteve dhe institucioneve të arsimit në sistemin arsimor të Kosovës, për të thyer përfundimisht ciklin e trashëgimisë ndarëse nga e kaluara. Për më shumë, u fol edhe për sfidat që hasin të diplomuarit në vend e rajon lidhur me njohjen e diplomave.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, bashkë me prorektoren për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, duke falënderuar zëvendësshefen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, znj. Cornelia Taylor dhe drejtuesen e Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitetet, znj. Kavya Rajan për vizitën, shprehën përkushtimin për vazhdim dhe thellim bashkëpunimi.