Delegacion nga Universiteti Shtetëror i Floridës e viziton UP-në
Rektori Qerim Qerimi, së bashku me prorektoren Arta Basha-Jakupi, mikëpritën sot në takim një delegacion nga Universiteti Shtetëror i Floridës. Delegacioni i përbërë nga Terence Coonan, Ruby Lee dhe Eundeok Kim, shoqërohej nga Adelina Emini, e diplomuar në studimet e doktoratës në Fakultetin Ekonomik të UP-së, njëherësh studente vizitore në Universitetin nga Florida.
Gjatë takimit, u diskutuan ide të ndryshme për bashkëpunim ndërmjet të dyja institucioneve, përfshirë shkëmbimin e studentëve e të stafit akademik, krijimin e programeve të përbashkëta dhe realizimin e projekteve në partneritet të ndërsjellë.
I lumtur për partneritetin me FSU-në u shpreh rektori Qerimi. Ai theksoi që UP-ja është duke shënuar progres të ndjeshëm në shumë sfera, përfshirë atë të bashkëpunimit ndërkombëtar, dhe partneriteti me një universitet prestigjioz, siç është FSU-ja, është një hap tutje në këtë drejtim.
Ndërkaq, prorektorja Basha-Jakupi tha se për studentët nga UP-ja do të ishin mundësi të jashtëzakonshme shkëmbimet semestrale në FSU. Ajo theksoi edhe faktin që studentët tanë, përveç mundësive për shkëmbim në universitete në Evropë, janë përfituesit kryesorë edhe nga programet e SHBA-së për shkëmbim, gjë e cila fakton cilësinë e studentëve tanë.
Edhe Terry Coonan, drejtor i Qendrës për Avancim të të Drejtave të Njeriut në FSU, theksoi vullnetin e FSU-së për thellim të bashkëpunimit, në veçanti në fushën e drejtësisë, fushë të cilës i takon edhe ai.
Për bashkëpunimin ndërmjet UP-së dhe FSU-së foli edhe Adelina Emini. Ajo ndau përvojën e saj në FSU dhe theksoi se një përvojë e tillë do të ishte e dobishme për çdo student.
Pas përvojës së Eminit në Florida, tani në UP do të qëndrojë profesoresha Ruby Lee, e cila është përfituese e burses në kuadër të programit Fulbright.
