Delegacion i psikologëve nga American Psychological Association (APA) viziton UP-në

Administrator Administrator 26 qershor 2019 Arkivuar

Prof. Ass. Dr. Dashamir Bërxulli, prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar, priti, së bashku me profesoratin dhe studentët e Departamentit të Psikologjisë, një delegacion nga American Psychological Association (APA).

Prorektori Bërxulli i njohu vizitorët me një zhvillim historik të Departamentit të Psikologjisë, që nga themelimi e deri më sot. Vizita disa orëshe më pas vazhdoi me një bashkëbisedim të hapur dhe thelbësor midis profesoratit, studentëve dhe delegacionit të APAs, duke trajtuar aspekte të ndryshme të stadit të zhvillimit të psikologjisë në Kosovë si: kurrikulat, licensimi, kërkimi shkencor. Veçanërisht, e rëndësishme në takim ishte pjesëmarrja e studentëve dhe diskutimi i tyre lidhur me përvojat në Departamentin e Psikologjisë, bashkëpunimi me profesorët, pjesëmarrja në projekte të përbashkëta hulumtimi dhe planet e tyre për të ardhmen.

Delegacioni i APAs vizitoi mjediset mësimore dhe laboratorin e Departamentit të Psikologjisë në UP. Ata shprehën admirimin për punën edukative dhe hulumtuese të bërë nga Departamenti i Psikologjisë dhe diskutuan për projekte të bashkëpunimit në të ardhmen. Dr. Amanda Clinton, drejtore e Lartë e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë dhe njëkohësisht udhëheqëse e delegacionit të APAs, falënderoi prorektorin Bërxulli për mikpritjen dhe inkurajoi psikologët e Universitetit të Prishtinës të aplikojnë për anëtarësim në divizionin përkatës të APAs.