Certifikohen trajnuesit e rinj të Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie

Administrator Administrator 19 mars 2019 Arkivuar

Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie (QPM), në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Programin e Transformimit të Lidershipit – Bursave dhe Partneriteteve, certifikoi 12 trajnerë të rinj. Trajnerët e certifikuar nga trajnimi “Trajnimi i trajnerëve” do të mbajnë trajnime për stafin akademik me qellim përmirësimin e mësimdhënies, duke përdorur metodologji të reja.

Të certifikuarit i përgëzoi rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema. Në fjalën e tij, ai foli për transformimin e UP-së, ndërkaq theksoi se ky sukses shënon një hap tutje drejt këtij objektivi.
“Sot jemi këtu për të festuar një nismë të re, që shënon një hap tutje drejt punës se mrekullueshme që është duke u bërë në Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie. Sot, falë partnerëve tanë, kësaj qendre po  i shtohen edhe 12 trajnerë te rinj, të cilët i falënderoj për përkrahjen e dhënë,” tha Dema.

Për finalizimin me sukses të trajnimit, mësimdhënësit e certifikuar i uruan nënpresidentja e programit “World Learning”, znj. Melissa Oppenheimer, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqyri Bytyqi, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të misionit të USAID-it, Paul Vaca, si dhe lideri i projektit TLP – SP, z. Carl Hammerdorfer.

Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie, gjatë vitit të kaluar, vetëm me 10 trajnerë, sa ka pasur deri më tani, ka trajnuar 263 pjesëtarë të stafit akademik, në tri lloje të trajnimeve dhe në të tria nivelet.

QPM-ja ka mision që të sigurojë avancim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm në mësimdhënie, në shërbime inovative dhe në resurse për të promovuar kulturën e përsosmërisë në mësimdhënie në fakultetet e Universitetit të Prishtinës (UP) dhe në institucionet tjera të arsimit të lartë (IAL).