CEREMONIA SOLEMNE E HAPJES SË PROGRAMIT TRAJNUES PËR MENAXHIM PROJEKTESH, MUNDËSUAR NGA BANKA BOTËRORE

Administrator Administrator 4 mars 2020 Arkivuar

Sot, në hapësirat e zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, u zhvillua ceremonia solemne e hapjes së programit trajnues për menaxhimin e projekteve, i cili vjen si bashkëpunim i Bankës Botërore - Zyra në Kosovë dhe  Qendrës për Zhvillim të Karrierës - Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina".

Përfitues të trajnimit dhjetë javor janë njëzet studentë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina". Trajnimi mbi Menaxhimin e Projekteve është dizajnuar me qëllim të përgatitjes me njohuri të reja dhe zhvillim të aftësive specifike në menaxhim të projekteve.

Ekspertë dhe trajnerë nga Banka Botërore - Zyra në Kosovë janë të dedikuar në zbatimin e syllabusit, duke zhvilluar kompetenca të reja profesionale në fushën e menaxhimit të projekteve, ku studentët do të aftësohen në dizajnimin dhe implementimin e projektit, të ndërlidhin resurset me aktivitetet implementuese, të identifikojnë matësit kryesorë të suksesit, të zhvillojnë kornizën logjike të monitorimit, si dhe të krijojnë aftësi për t’u bërë liderë të suksesshëm të një projekti. Ky program trajnues ofrohet falas për studentët e Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina".

Z. Marco Mantovanelli, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, në fjalën e tij hyrëse, falënderoi Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina" “Kjo iniciativë e mrekullueshme e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë është një model i parë suksesi i transferimit të njohurive të reja dhe kulturës së punës te studentët e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’” Z. Mantovanelli vijoi me prezantimin e shkurtër të historisë, misionit, fokusit, rezultateve dhe qëllimit të Bankës Botërore.

Prof. asoc. dr. Merita Koçinaj Berisha, prorektore për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", i uroi të pranishmit në ceremoninë solemne të hapjes së Programit të Trajnimit për Menaxhim të Projekteve, të ofruar nga institucioni ynë partner, Banka Botërore - Zyra në Kosovë. Prorektorja Koçinaj - Berisha e vijoi fjalimin e saj duke vendosur theksin në përcjelljen e mirënjohjes nga ana e rektorit Dema, i cili na kujton se Plani Strategjik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” parasheh objektivat strategjikë të plotësimit të njohurive për fusha të caktuara, kështu që përmes këtij programi trajnimi për modelin e menaxhimit të ofruar nga Banka Botërore për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ne shënojmë përparim në zbatimin e suksesshëm të vizionit për një arsimim të denjë dhe profesional.

 Znj. Mrika Aliu, specialiste e resurseve humane në Zyrën e Bankës Botërore në Kosovë, e falënderoi Qendrën për Zhvillim të Karrierës - Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" për bashkëpunimin. Znj. Aliu e prezantoi syllabusin e programit trajnues për të pranishmit.