Austria vazhdon mbështetjen e fuqishme të Universitetit të Prishtinës

Austria vazhdon mbështetjen e fuqishme të Universitetit të Prishtinës

Administrator Administrator 22 tetor 2025 Arkivuar

Zëvendësambasadorja e Austrisë në Kosovë, znj. Clarissa Castek, në një takim në Universitetin e Prishtinës, rikonfirmoi raportet e shkëlqyeshme mes UP-së, institucioneve të arsimit të lartë dhe shtetit austriak. 

Mysafirja e nderuar u njoftua nga drejtuesi i UP-së për një memorandum bashkëpunimi që Universiteti i Prishtinës po e arrin me Universitetin e Mjekësisë së Gracit. 

Me këtë universitet do të bashkëpunojë Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës në Universitetin e Prishtinës (QKSTK), e themeluar nga UP-ja dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës më 17 korrik 2025, me synimin që të jetë qendër rajonale e trajnimit, aftësimit dhe përdorimit të mjeteve dhe metodave më moderne në fushëne kirurgjisë, emergjencave dhe traumave. 

Në takim u diskutua edhe për nevojën e zhvillimit dhe forcimit të mëtejmë të bibliotekës austriake në hapësirat e Degës së Gjuhës Gjermane të Fakultetit të Filologjisë duke u përmenduredhe marrëveshja e vitit 1997 mes palës austriake dhe Universitetit të Prishtinës. 

Rektori, prof. Arben Hajrullahu, e falënderoi zëvendësamabsadoren Castek për ndihmën e vazhdueshme dhe të pandalshme që ky shtet i jep UP-së dhe për partneritetin që Universiteti i Prishtinës ka me universitete austriake. 

Përkrahje dhe mbështetje e madhe nga shumë organizata e institucione austriake, UP-së i vjen nëpërmjet bashkëpunimit me Programin ShER, Arsimin e Lartë dhe Kërkimin e Qëndrueshëm në Kosovë, sipas memorandumit të nënshkruar në nëntor të vitit 2024. Po në nëntor të vitit të kaluar në Universitetin e Prishtinës ishte për vizitë edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Shchnetzer.