Ambasadorja e Francës në Kosovë viziton Qendrën Universitare Frankofone

Administrator Administrator 22 nëntor 2019 Arkivuar

Qendra Universitare Frankofone ishte sot nikoqire e ambasadores së Francës në Kosovë, znj. Marie - Christine Butel. Në këtë vizitë, ajo u prit në takim nga rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga dekanja e Fakultetit të Filologjisë, prof. Lindita Rugova, shefja e departamentit të gjuhës frënge dhe koordinatorja e Qendrës Universitare Frankofone (QUF), prof. Valbona Berisha, staf akademik dhe studentë të këtij departamenti.

Rektori Dema i uroj ambasadores Butel përvojë pozitive e të dobishme në detyrën e re në Kosovë, ndërkaq e ftoi atë që UP-në ta konsideroj si shtëpinë e saj të dytë, pas Ambasadës, ku ajo ushtron funksionin e saj primar.
“Ne i jemi mirënjohës popullit dhe qeverisë franceze. Për këtë, zgjerimi i shtrirjes se frankofonisë në universitet e vend, ka qenë njëri ndër synimet e mija kryesore në funksionin tim si rektor” tha Dema. Rektori, ndër të tjerash, foli edhe për sukseset që QUF-i ka shënuar që nga themelimi i saj, e edhe për futjen e frëngjishtes si lëndë zgjedhore në të gjitha njësitë akademike të UP-së.


E lumtur me praninë e saj në UP u shpreh Ambasadorja Butel. Ajo falënderoi rektorin Dema dhe stafin e tij për hapësirën që i kanë dhënë frankofonisë, ndërkaq bisedoi me studentët për arsyen e zgjedhjes së gjuhës frënge për studim, e edhe për nevojat e tyre për zhvillimin e studimeve sa më cilësore në këtë departament.
“Unë e konsideroj shumë të rëndësishme zgjerimin tutje të Departamenti të Frëngjishtes me të tjera partneritete me universitete franceze. Të tillë e konsideroj edhe nevojën që studentët nga të gjitha fakultetet, e jo vetëm në UP, duhet të kenë qasje në mësimin e gjuhës frënge” tha ambasadorja Butel.

Diskutimi u përcoll me rrëfimet e studentëve se pse kanë zgjedhur të studiojnë pikërisht këtë gjuhë. Me një frëngjishte të rrjedhshme, para të pranishmeve, përvojën e saj të shkëmbimit në Francë e ndau studentja Elsa Hyseni.
“Mua me pëlqen kultura franceze dhe duke pasur njohuri për gjuhën me mundësohet që të kem qasje në mendimet direkte që kanë hedhur personalitetet e shquara franceze, e origjinali çdo herë është më i mirë se përkthimi” shtoi ajo.
Ndërkaq, studentët e tjerë të pranishëm, ndër të tjera potencuan që zgjodhën frëngjishten për shkak që kjo gjuhë është gjuhë “e zonjave”, e edhe “ju pëlqen se sa bukur tingëllon”.

Me iniciativën e profesoreshës Berisha dhe me mbështetjen e rektorit Dema, në vitin 2018, në kuadër të UP-së, është themeluar Qendra Universitare Frankofone, ndërkaq, tani UP-ja është anëtare e Agjencisë Universitare Frankofone në botë. Javë më parë rektori Dema, profesoresha Berisha dhe profesoresha Nerimane Kamberi, janë dekoruar me Medaljen e Palmës Akademike, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë në përhapjen e gjuhës frënge në vendin tonë, në veçanti në UP.