Ambasadori i Zvicrës në UP: Zgjerim i bashkëpunimit akademik dhe promovim i bursave zvicerane
Në një takim me ambasadorin e Zvicrës, Sh.T. Jürg Sprecher në Universitetin e Prishtinës, u fol për Programin e Ballkanistikës në Fakultetin Filologjik dhe mundësitë e shkëmbimit të profesorëve dhe studentëve.
Ambasadori Sprecher tha se një numër i studentëve kosovarë studiojnë në Zvicër përmes bursës së ekselencës së këtij shteti, duke shprehur dëshirën që numri i tyre të rritet në të ardhmen. Për këtë qëllim u ra dakord që kjo bursë zvicerane të promovohet në kampusin e UP-së dhe kanalet e komunikimit të universitetit.
Mysafiri i nderuar ofroi ndihmën e tij edhe për sjelljen e profesorëve vizitorë e hulumtues nga Zvicra në UP.
Në takim u fol edhe për Programin e Ballkanistikës të Fakultetit të Filologjisë që është ndihmuar vazhdimisht nga shteti zviceran nëpërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Migrimin (IOM). Ambasadori u informua nga drejtuesit e UP-së për aprovimin nga Senati të hapjes së konkursit për dy profesorë të këtij programi dhe dërgimin e tij për akreditim.
Ambasadorit iu kërkua që të shfrytëzojë autoritetin e tij dhe të shtetit që përfaqëson për të ndihmuar në integrimin e plotë të të gjitha institucioneve arsimore në sistemin kosovar të arsimit, në mënyrë që të tejkalohet trashëgimia ndarëse nga e kaluara dhe shoqëria të jetë vërtet multietnike.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, duke e falënderuar ambasadorin Jürg Sprecher për vizitën, shprehën dëshirën dhe vullnetin për intensifikim të bashkëpunimit edhe në të ardhmen.