Ambasada italiane prezanton bursat dhe mundësitë e shkollimit në Itali para studentëve të UP-së

Ambasada italiane prezanton bursat dhe mundësitë e shkollimit në Itali para studentëve të UP-së

Administrator Administrator 23 janar 2026

Në sallën e Senatit përfaqësues të Ambasadës së Italisë në bashkëpunim me drejtues të Universitetit të Prishtinës prezantuan para studentëve bursat italiane dhe mundësitë e shkollimit në këtë shtet evropian.

Prezantimin e drejtoi lektorja e gjuhës italiane në Qendrën e Gjuhëve të Fakultetit të Filologjisë së UP-së dhe përgjegjësja për çështje akademike në Ambasadën e Italisë në Kosovë, Raffaela Ritucci, ndërsa përfaqësues të „Uni-Italia”, një organizate joqeveritare që promovon arsimin e lartë italian jashtë vendit, me anë të sllajdeve treguan pse duhet studiuar në universitetet italiane.

Gjatë prezantimit u tha se në Itali ofrohet arsim i lartë cilësor, në shumicën e rasteve me çmime më të favorshme se në vendet tjera të Evropës. U përmend Universiteti i Bolonjës që ka traditë të mësimdhënies që gati 1000 vjet dhe konsiderohet universiteti më i vjetër në Evropë dhe botën perëndimore.

Studentët e UP-së u këshilluan që të gjitha informatat për studimet në Itali t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë në uebfaqen: https://uni-italia.it/. Ata bënë pyetje dhe morën përgjigje për çështje të ndryshme: nga certifikata e nivelit të njohurive gjuhësore, vizat që mund të nevojiten për shkollim e deri te programet e mjekësisë, se a shkojnë së bashku pjesa teorike me përvojën klinike.

Gjatë bashkëbisedimit dhe sesionit informues me studentë për bursat dhe mundësitë e shkollimit në shtetin italian, morën pjesë edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, drejtorja e Zyrës së UP-së për Marrëdhënie me Jashtë, prof. Lumnije Bajrami dhe zyrtaret Afërdita Rexhepi e Saranda Krasniqi.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar e Italisë (MAECI) ofron çdo vit bursa studimi për studentët e huaj, nga të cilat përfitojnë edhe studentët e Universitetit të Prishtinës.