Aktorët e ardhshëm përfundojnë studimet në UP me shfaqjen "Dhoma e kaltër"
Studentët e vitit të katërt të Degës së Aktrimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë zgjedhur që studimet themelore të tyre t’i përfundojnë në skenën e teatros, duke sjellë për publikun shfaqjen “Dhoma e kaltër". Kjo shfaqje, e shkruar nga David Hare dhe me regjisor prof. ass. Shkumbin Istrefi, u shfaq në ambientet Teatrit “Oda” të premten mbrëma.
Në këtë shfaqje luajtën studentët: Verona Koxha, Ekrem Ismajli, Blerta Gubetini, Gentrit Shala, Anila Krasniqi, Allmir Suhodolli, Ftesa Hazrolli, Blend Sadiku, Qëndresa Jashari dhe Florent Salihu, të cilët gjatë kësaj vepre ishin konsultuar me prof. asoc. Ilire Vinca.
Gentriti, njëri ndër studentët pjesëmarrës në këtë shfaqje, është shprehur i kënaqur që punimi i diplomës i ka ndihmuar ata në përgatitjen dhe zhvillimin e tyre drejt këtij profesioni.
"Mendoj që secili nga ne jemi më të përgatitur për teatër, pas këtij procesi të provave. Falënderoj profesorin Shkumbin Istrefi, i cili ka punuar me vullnetin e tij më të madh në realizimin e kësaj shfaqje. Pra, me anë të përkushtimit të madh të këtij profesori, si dhe komenteve të mira nga njerëzit e këtij komuniteti, shpresat dhe vullneti jonë për një karrierë të suksesshme veçse janë shtuar", ka përfunduar Gentriti.
Shfaqja “Dhoma e kaltër”, pas shtatorit, planifikohet të shfaqet edhe në teatro të tjera të qytetit të Prishtinës.