Agjencia për Akreditim viziton Universitetin e Prishtinës për të forcuar cilësinë dhe transparencën në arsimin e lartë
Në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës u zhvillua një takim i rëndësishëm ndërmjet përfaqësuesve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) dhe menaxhmentit të Universitetit. Në takim morën pjesë z. Shkelzen Gërxhaliu, drejtor i Departamentit për Monitorim dhe Procedura pas Akredituese dhe znj. Shpresa Shala, udhëheqëse e Divizionit për Monitorim. Takimin e mirëpriti prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore. Prof. Majlinda Gjelaj.
Qëllimi kryesor i takimit ishte shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi rreth procesit të monitorimit për vitin akademik 2025/2026, në përputhje me Rregulloren nr. 04/2025 për monitorim dhe procedura pasakredituesetë AKA-s. Palët diskutuan mënyrat më efikase për zbatimin e standardeve të akreditimit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Prorektorja Majlinda Gjelaj i vlerësoi shumë të rëndësishme takimet me zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. „Bashkëpunimi me AKA-n është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm institucional dhe për përmirësimin e cilësisë në të gjitha nivelet e studimeve. Këto takime kontribuojnë në ndërtimin e një kulture të përbashkët të cilësisë dhe përgjegjësisë institucionale”, tha prorektorja Gjelaj.
Drejtori Shkelzen Gërxhaliu konstatoi se vetëm bashkëpunimi mes dy institucioneve e përmirëson cilësinë e arsimit të lartë. „Procesi i monitorimit është një hallkë kyçe e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Përmes qasjes bashkëpunuese, synojmë që standardet e akreditimit të zbatohen në praktikë dhe të mbështesim institucionet në përmirësimin e tyre të vazhdueshëm”, tha Gërxhaliu.
Udhëheqësja e Divizionit për Monitorim, Shpresa Shala lavdëroi përkushtimin e UP-së gjatë procesit të monitorimit nga AKA. „Ky takim ishte një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e informatave dhe koordinimin e veprimeve që garantojnë cilësinë akademike. Vlerësojmë lartë përkushtimin e Universitetit ndaj procesit të monitorimit”, tha znj. Shala.
Vizitat monitoruese për vitin akademik 2025–2026
Në kuadër të procesit të monitorimit, ekipi i Divizionit për Monitorim, i udhëhequr nga znj. Shpresa Shala, realizoi vizita informuese në 14 njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës gjatë datave 6–8 tetor 2025. Vizitat u pritën mirë nga menaxhmentet e fakulteteve dhe koordinatorët për zhvillim akademik, duke reflektuar bashkëpunim dhe përkushtim ndaj garantimit të cilësisë.
Qëllimi i vizitave ishte që njësitë akademike të njihen më afër me procesin e monitorimit, mënyrën e zbatimit të standardeve dhe mekanizmat për sigurim të cilësisë dhe përmirësim të vazhdueshëm.
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), nëpërmjet Divizionit të Monitorimit, ka nisur zbatimin e procesit të monitorimit për vitin akademik 2025/2026, në përputhje me Rregulloren e re për monitorim dhe procedurat pasakredituese, të miratuara nga AKA në vitin 2025 (shih dokumentin këtu).
Për të rritur ndërgjegjësimin e studentëve mbi rëndësinë e cilësisë në arsimin e lartë, është vendosur një poster informues me moton “Cilësia e Arsimit Fillon me Ty” në vendet strategjike të universitetit. Ky poster synon të nxisë studentët të jenë pjesëmarrës aktiv në procesin mësimor dhe të kuptojnë rolin e tyre në sigurimin e një mjedisi arsimor cilësor dhe efektiv.

Çështjet kryesore të adresuara gjatë vizitave monitoruese:
- Pjesëmarrja e studentëve në mekanizmat e sigurimit të cilësisë;
- Përbërja e ekipit institucional për sigurimin e cilësisë;
- Përdorimi i pyetësorëve për studentët, trupat këshillëdhënës, alumnit dhe palët tjera të interesit;
- Monitorimi i infrastrukturës dhe burimeve fizike (laboratorë, pajisje, materiale shpenzuese);
- Roli dhe përgjegjësitë e bartësve të programeve akademike;
- Oraret mësimore, numri i studentëve në ushtrime dhe lidhja me raportet e vetëvlerësimit;
- Publikimi i materialeve relevante në faqet zyrtare të fakulteteve;
- Transparenca përmes publikimit të emrave të profesorëve që ligjërojnë;
- Vizibiliteti i posterit informues për studentë: “Cilësia e Arsimit Fillon me Ty”;
- Publikimi i formularit që tregon koston e studimeve dhe informacionit mbi mundësitë e punësimit për secilin program të studimit dhe
- Zbatimi i standardit 4.2 të Planit Strategjik për disponueshmërinë e informacionit mbi aktivitetet akademike, kërkimore dhe shoqërore.
Këto vizita përbëjnë një mjet kyç për forcimin e cilësisë dhe transparencës në arsimin e lartë në Kosovë. Ato janë lehtësuar nga Divizioni për Zhvillim Akademik, Cilësi, Monitorim dhe Karrierë, në bashkëpunim të ngushtë me fakultetet përkatëse.
Kjo nismë konfirmon përkushtimin e përbashkët të Universitetit të Prishtinës dhe AKA-së për të garantuar standarde të larta akademike dhe zhvillim të qëndrueshëm institucional.