33 mijë e 485 euro të UP-së për 34 punime shkencore dhe 10 konferenca të Fakultetit të Ekonomisë gjatë 2025-ës
Gjatë vitit 2025 personeli akademik i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës publikoi 34 punime shkencore dhe mori pjesë në 10 konferenca, duke treguar performancë të shkëlqyer. Për realizimin e këtyre aktiviteteve shkencore, kjo njësi akademike mori mbështetje financiare nga Universiteti i Prishtinës me një shumë prej 33,485 eurove.
Profesorët e këtij fakulteti treguan një përkushtim të lartë gjatë mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, duke shkëmbyer e shpërndarë dijen dhe përvojën e tyre nëpër konferenca ndërkombëtare dhe platforma e revista të njohura shkencore.
Ata kanë publikuar 34 punime shkencore në revista të indeksuara në „Web of Science” dhe „Scopus”, prej të cilave 3 punime në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI të „Web of Science” dhe 27 punime në „Scopus”, të shpërndara në kuartilet Q1–Q3 (13 në Q1, 3 në Q2 dhe 11 në Q3). Po ashtu, personeli botoi 4 kapituj shkencorë në shtëpi botuese të indeksuara në „Web of Science”.
Universiteti i Prishtinës mbështeti këtë veprimtari me 21,000 euro për publikimet shkencore dhe 12,485 euro për pjesëmarrjen në 10 konferenca shkencore (8 ndërkombëtare dhe 2 rajonale).
Fakulteti i Ekonomisë që nga themelimi ka ndihmuar zhvillimin ekonomik të Kosovës me ekspertizë e projekte, ndërsa mban kontakte të vazhdueshme dhe të pashkëputshme me sektorin publik e privat dhe industrinë, për të kuptuar nevojat dhe kërkesat e tregut kosovar të punës, në mënyrë që studentët të jenë të gatshëm t’i bashkohen këtij tregu kur të kryejnë studimet.
Për këtë arsye në këtë fakultet shpesh organizohen takime të ndërmarrësve me studentë, si gjatë „Javës së Ndërmarrësisë”, kur tre biznesmenë të rinj treguan se si zhvilluan bizneset e tyre.
Fakulteti i Ekonomisë mbajti edhe konferencën me titull „Inteligjenca Artificiale në Arsimin e Lartë në Kosovë – Perspektivat dhe Sfidat” në kuadër të një projekti të financuar nga ambasada e ShBA-së dhe të mbikëqyrur dhe zbatuar nga Kosovo United States Alumni (KUSA).