23 punime shkencore e 4 konferenca të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë gjatë 2025-ës të financuara nga UP-ja me 21,980 euro
Gjatë vitit 2025 personeli akademik i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës publikoi 23 punime shkencore dhe mori pjesë në 4 konferenca rajonale, me mbështetje financiare nga Universiteti i Prishtinës në shumën prej 21,980 eurove.
2025-ta për Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë ishte një vit i avancimit të kërkimit shkencor, shpërndarjes së dijes dhe informatave dhe pjesëmarrjes në projekte e aktivitete rajonale e ndërkombëtare.
Personeli akademik i FBV-së gjatë këtij viti publikoi 23 punime shkencore në revista të indeksuara në „Web of Science” dhe „Scopus”, prej të cilave 10 punime në kategoritë SCIE, SSCI dhe AHCI të „Web of Science’ dhe 12 punime në „Scopus’, të shpërndara në kuartilet Q1–Q4 (2 në Q1, 1 në Q2, 8 në Q3 dhe 1 në Q4).
Po ashtu, u botua edhe një kapitull shkencor në një shtëpi botuese të indeksuar në „Web of Science”.
Universiteti i Prishtinës mbështeti këtë njësi akademike me 17,900 euro për publikimet shkencore dhe me 4,080 euro për pjesëmarrjen në 4 konferenca rajonale.
Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë i Universitetit të Prishtinës që nga viti 2014 është i përfshirë në projekte të financuara nga Qeveria e Gjermanisë me të cilët luftohen viruset në Kosovë dhe forcohen kapacitetet për luftimin e tyre në fazat e hershme kur ende nuk paraqesin rrezik të theksuar.
Profesori i këtij fakulteti, prof. Kurtesh Sherifi, është udhëheqës shkencor edhe në një projekt të përbashkët me komponentën mjekësore të ushtrisë amerikane që ka për qëllim identifikimin e viruseve, baktereve dhe parazitëve të rrezikshëm për ushtarët dhe popullatën në zonën e kampit ushtarak amerikan Bondsteel.
Një profesor tjetër i këtij fakulteti, prof. Bajram Berisha, ka hyrë në mesin e 100 shkencëtarëve më të mirë të Evropës në fushën e bujqësisë dhe pylltarisë.
