Zëvendës drejtori menaxhues i FMN-së mban ligjëratë të hapur në Fakultetin Ekonomik

Administrator Administrator 16 February 2018 Archived

Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mirëpritur zëvendës drejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Tao Zhang, në një ligjëratë të hapur për studentët dhe stafin e Fakultetit. Pjesë e panelit ishin edhe z. But Dedaj, dekan i Fakultetit Ekonomik; z. Ruud Vermeulen, përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë dhe znj. Stephanie Eble, shefe në largim e misionit të FMN-së në Kosovë.

Zhang diskutoi për rolin e Fondit në sigurimin e stabilitetit financiar global përmes mbikëqyrjes, huadhënies dhe zhvillimit të kapaciteteve për vendet anëtare.  Ligjërata u përqendrua edhe në rolin e FMN-së në Kosovë, para dhe pas anëtarësimit të saj në vitin 2009, në të tri fushat e përgjegjësisë së Fondit. Zhang paraqiti një përmbledhje të aspekteve të punës dhe kontributit të FMN-së në Kosovë, duke përfshirë misionet e mbikëqyrjes së përdyvjetshme, mbështetjes së agjendës së reformave dhe këshillimin në fusha të ekspertizës si banka qendrore, politikat fiskale dhe statistikat makroekonomike.

Pas ligjëratës fjala iu dha studentëve, të cilët shtruan pyetje për z. Zhangun dhe diskutuan për çështjet më aktuale të ekonomisë me interes global.  Ligjërata e hapur u mbyll me diskutime të rastit mes penalistëve, profesorëve dhe studentëve të Fakultetit Ekonomik.