Vizitë e prorektorit Bërxulli në Universitetin Ca' Foscari, Itali

Administrator Administrator 23 May 2019 Archived

Prof. Dashamir Bërxulli, Prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar, po qëndron në një vizitë në Universitetin Ca’ Foscari të Venecias, Itali. Përveç aktiviteteve të tjera, prorektori Bërxulli u prit nga nga homologia e tij, prof. Tiziana Lippiello.

Në takim u shprehën konsideratat për bashkëpunimin e ndërsjellë, veçanërisht në kuadër të programit Erasmus+. Prorektorët u pajtuan të vazhdojnë aktivitetet e bashkërenduara për të rritur rangimin e universiteteve përkatëse në aspektin e komponentit të ndërkombëtarizimit.

Gjithashtu, u bisedua për thellimin e bashkëpunimit përmes një programi të përbashkët (diplomë e dyfishtë) në fushën e gjuhësisë. Kjo ide, e propozuar fillimisht nga Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u diskutua edhe më specifikisht në një takim të prorektorit Bërxulli me të deleguarin e departamentit përkatës, prof. Roland Hinterholzl. Në takim u kornizuan afatet kohore për bashkërendimin e veprimeve për përpilimin e programit master në fjalë, si dhe u diskutuan specifika të veçanta të ndërlidhura me të.

Në të gjitha takimet e prorektorit Bërxulli, merrte pjesë edhe prof. Giuseppina Turano, nga Departamenti i Studimeve Gjuhësore dhe Kulturore Krahasuese, e cila ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në bashkëpunimin midis institucioneve.