VentureUP certifikon grupin e parë të punëtorisë për aftësi të buta

Administrator Administrator 12 December 2017 Archived

Gjatë javës së kaluar, rreth 20 studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” morën pjesë në punëtorinë për aftësi të buta, organizuar nga VentureUP, në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Gjatë pesë ditëve intensive, studentët pjesëmarrës mbajtën trajnime interaktive me qëllim zhvillimin e aftësive komunikuese, prezantimeve publike, mendimin kritik, punën grupore, rëndësinë e diversitetit në punë, profesionalizmin dhe metodat e intervistimit.

Studentja e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik të UP-së, Eriona Hoti, e cila ishte pjesëmarrëse në këtë trajnim, tha që nga ky trajnim ka përfituar shumë në aspektin e aftësive të buta.

Kemi pasur shumë interaktivitet në trajnim dhe çdo gjë që kemi thënë e kemi vënë edhe në praktikë. Përmes këtij trajnimi jemi mësuar se si të flasim pa pengesa, si të eliminojmë frikën gjatë fjalimeve, e sidomos kemi mësuar se si ta argumentojmë atë që e themi”.

Eriona shtoi që është shumë e kënaqur me faktin që ka marrë pjesë në këtë trajnim të VentureUP, si dhe shpreson që do të bëhet pjesë edhe e trajnimeve të tjera të VentureUP në vazhdimësi.

VentureUP bashkë me Universitetin e Prishtinës angazhohen që studentëve t’iu mundësohet zhvillimi i aftësive të nevojshme për të qenë konkurrues në tregun e punës, me qëllim ngritjen e punësimit të studentëve dhe të të diplomuarve të UP-së.

Deri në maj të vitit 2018, me mbështetjen financiare të GIZ-it përmes DIMAK-ut, VentureUP do të mbajë rreth 25 punëtori në fushat e teknologjisë, mediave sociale, marketingut, kontabilitetit dhe planeve të biznesit, që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve të studentëve të UP-së, si dhe krijimin e një ure në mes të edukimit dhe tregut.