UPHP dhe TIKA nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi ky synohet zhvillimi i shkencës dhe i arsimit

Administrator Administrator 7 May 2018 Archived

Më rastin e përmbylljes së tryezës shkencore“30 vjetori i Turkologjisë në Kosovë”, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet UPHP-së dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim - TIKA.

Nënshkrimi i këtij Memorandumi u bë nga Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” prof. dr. Marjan Dema dhe përfaqësuesi nga TIKA, dr. Mahmut Çevik.

Rektori Dema u shpreh shumë i lumtur që në emër të Universitetit të Prishtinës po përshëndet formalizmin e një bashkëpunimi të ri, por me miq të kahershëm të Universitetit të Prishtinës, siç është Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim. Ai tha që ngritja e cilësisë së mësimdhënies, hulumtimeve dhe shërbimeve është njëra ndër pikat kryesore të cilat menaxhmenti i UPHP-së i ka vendosur si objektivë të tyre në Planin Strategjik të tij.

“Ky element i Planit tonë Strategjik është i pasuruar me hapa të qartë për arritje të këtyre synimeve, ndërkaq nënshkrimi sot i këtij Memorandumi të Bashkëpunimit me TIKA-në është një hap tutje në arritjen e këtyre objektivave”, tha Dema.

Ndërsa, përfaqësuesi i TIKA-s, z. Çevik falënderoi Rektorin Dema për përkrahjen e tij dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim të mëtutjeshëm në projekte të reja.

Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimi është përcaktimi i parimeve të bashkëpunimit të palëve për zhvillimin e shkencës dhe arsimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.