UP organizoi punëtorinë e radhës të Trupave këshillëdhënës të Njësive Akademike të UP-së

Administrator Administrator 17 November 2017 Archived

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me përkrahje të projektit EYE – Enhancing Youth Employment, organizoi punëtorinë me temë “Si të funksionalizohen dhe fuqizohen Trupat këshillëdhënës, për të qenë pjesë aktive e proceseve zhvillimore në Universitet”.

Të pranishëm në këtë punëtori ishin, Rektori prof.dr. Marjan Dema, prorektori për zhvillim dhe cilësi prof. dr. Hysen Bytyqi, dekanët e njësive akademike, përfaqësuesit nga Trupat këshillëdhënës, përfaqësuesit të projektit EYE dhe përfaqësuesi i Zyrës për Zhvillim Akademik.

Rektori Dema, në fjalën e tij para të pranishmëve falënderoj të gjithë dekanët e Njësive Akademike, përfaqësuesit e tregut të punës, njëherit edhe anëtarët e Trupave Këshillëdhënës për kontributin proaktiv të tyre në ngritjen e bashkëpunimit në mes UP-së dhe përfaqësuesve të tregut të punës. Gjithashtu, Rektori Dema i falënderoj edhe përfaqësuesit e projektit EYE – “Rritja e Punësimit për të rinjtë” e Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e cila implementohet nga Helvetas Swiss Intercooperation dhe Managment Development Associates, të cilët nga fillimi kanë kontribuar me mbështetje financiare dhe asistim teknik, që këto trupa të jenë funksional dhe ta përmbushin misionin e tyre në drejtim të përafrimit dhe bashkëpunimit sa më të ngushtë të Njësive Akademike të Universitetit të Prishtinës me tregun e punës.

Gjatë punëtorisë u shqyrtua edhe Rregullorja për themelimin dhe parimet e funksionimit të Trupave Këshillëdhënës të Njësive Akademik, ku në javët në vazhdim pritet që kjo Rregullore të amandamentohet me të gjeturat nga punëtoria.

Funksionalizimi i Trupave Këshillëdhënës do të kontribuoj në përditësimin e programeve të studimit, për të siguruar që studentët të marrin përgatitjen e duhur profesionale në përputhje me kërkesat e tregut, do të mbështesin realizimin e praktikës profesionale të studentëve të Njësive Akademike dhe gjithashtu, do të krijohet mundësi më e mirë për bashkëpunim në projekte të përbashkëta kërkimore shkencore dhe shërbime të ndryshme profesionale.