UP nënshkruan deklaratën për rritjen e pjesëmarrjes në programin Erasmus+

Administrator Administrator 19 April 2019 Archived

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof.dr. Marjan Dema, sot, në Fakultetin Filozofik të UP-së, ka nënshkruar deklaratën e përbashkët me Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë, për pjesëmarrje më të madhe në programin Erasmus+.

Ai tha se Universiteti i Prishtinës ka për qëllim promovimin e kontakteve të ndërsjella me universitetet e tjera, të cilat përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit synojnë forma të ndryshme bashkëpunimi me interes të përbashkët.
“UP-ja ka për qëllim promovimin e kontakteve bilaterale me universitetet e tjera, duke u bazuar në marrëveshjet e bashkëpunimit të nënshkruara, të cilat synojnë shkëmbimin e personelit akademik, studentëve, personelit administrativ dhe profesional, organizimin e kurseve të përbashkëta, vizitave studimore, si dhe format e tjera të bashkëpunimit me interes të përbashkët”, ka përfunduar rektori Dema.

Në këtë organizim për nënshkruarjen e deklaratës për bashkëpunim ndërkombëtar, mori pjesë edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, i cili tha se qëllimi i këtij organizimi është që deri në qershor të kemi rezultate të mira në sjelljen e fondeve në Kosovë.

Ne anën tjetër, si shumë të rëndësishme e konsideroi deklaratën e nënshkruar edhe koordinatorja e zyrës Erasmus+ në Kosovë, znj. Jehona Lushaku.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe rektorë dhe prorektorë të Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend. Ky takim është organizuar nga MASHT në bashkëpunim me Zyrën e Erasmus+ në Kosovë, në të cilin u ftuan të gjithë rektorët dhe pro-rektorët për marrëdhënie më jashtë nga të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë.