UP me mbledhje komemorative nderon jetën dhe veprën e prof. dr. Basri Çapriqit

Administrator Administrator 16 January 2018 Archived

Salla e Kuqe e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ishte e mbushur me familjarë, miq, kolegë dhe studentë të profesorit tashmë të ndjerë, prof. dr. Basri Çapriqit, të cilët u mblodhën në këtë tubim komemorativ për të nderuar jetën dhe veprën e tij.

Profesori Osman Gashi, njëherësh kolegu i profesorit Çapriqi, ishte ai që hapi këtë akademi mortore, duke lexuar edhe një letër ngushëlluese të kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinjat, drejtuar familjarëve dhe miqve të profesorit Çapriqi.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, po ashtu mbajti fjalë rasti, ku u shprehu ngushëllimet e tij familjarëve, miqve, kolegëve dhe studentëve të profesorit Basri Çapriqi.

Është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm ky çast i mbledhjes sonë për t’u përshëndetur për herë të fundit me profesorin tonë të çmuar, prof. dr. Basri Çapriqin, i cili i dha aq shumë Universitetit të Prishtinës dhe shoqërisë sonë.
Me ndarjen e tij nga jeta, Universiteti i Prishtinës humbi njërin nga profesorët më të çmuar; letërsia, kultura dhe publicistika humbi një shkrimtar të shkëlqyer; kolegët humbën mikun e bashkëpunëtorin e respektuar; studentët udhërrëfyesin e tyre; ndërsa familja prindin e bashkëshortin e dashur.”
tha Dema në fjalën e tij.

Rektori Dema, para të pranishmëve, kujtoi edhe punën e bërë bashkë me profesorin Çapriqi për disa vite në kuadër të Këshillit Drejtues të UP-së.

“Profesori Basri ishte një lider i mirë i Këshillit Drejtues të UP-së, me të cilin pata nderin të ndajë pikëpamjet për gjashtë vite me radhë. Ai për këto gjashte vite si kryesues i organit më të lartë qeverisës të UP-së ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin e cilësisë në UP, por veçanërisht në avancimin e menaxhimit të mirëfilltë të financave të Universitetit tonë”.

Edhe dekanja e Fakultetit Filologjik të UP-së, prof. Lindita Rugova u shprehu ngushëllime familjarëve për humbjen e më të dashurit të tyre. Ajo vlerësoi profesorin Çapriqi si “njëri prej profesorëve më të shquar të Katedrës së Albanologjisë, emri i të cilit tashme ka zënë vend në mesin e atyre që kujtohen, derisa studiohet letërsia shqipe në këtë vend”.

Për veprën dhe personalitetin e profesorit Çapriqi foli edhe njëri nga miqtë e tij të hershem dhe kolegu i tij, prof. dr. Sali Bashota, i cili në fjalën e tij tha se Basri Çapriqi ishte një poet i mrekullueshëm, një stilist brilant, profesor i pakrahasueshëm dhe studiues i thellë i letërsisë shqipe.

Ndërkaq, në fund të ceremonisë, në emër të familjes fjalën e mori vajza e prof. Çapriqit, Bulza Capriqi, e cila lexoi fjalët lamtumirëse kushtuar babait të saj.

 “Do të na mungosh shumë, kurrë nuk do të arrijmë ta përmbushim zbrazëtinë që na lë pas” përfundoi ajo.

Prof. Dr. Basri Çapriqi pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare. Çapriqi ishte profesor në Fakultetin e Filologjisë të UP-së për dekada me radhë, ku ligjëroi lëndët: Stilistikë, Semiologji dhe Poezi bashkëkohore.