UP-ja shpërblen me mirënjohje stafin dhe studentët që ndihmuan Shqipërinë pas tërmetit
Fakulteti i Ndërtimtarisë, Fakulteti i Arkitekturës, Departamenti i Psikologjisë së Fakultetit Filozofik, si dhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë shpërblyer me mirënjohje për punën vullnetare të bërë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Për këtë kontribut, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema tha se i gjithë universiteti ndihet krenar.
“Ky kontribut përveç që vjen nga zemra, i pershtatet edhe objektivave të Planit Strategjik të UP-së, plan i cili e promovon dhe inkurajon punën vullnetare dhe ne ju jemi falënderues për mbështetjen që u keni dhënë vëllezërve të Shqipërisë”, tha rektori Dema.
Më qëllim të realizimit të ndihmës pas situatës së krijuar në Shqipëri si shkak i tërmetit të ndodhur, disa nga mësimdhënësit e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe të Fakultetit të Arkitekturës janë përfshirë në vlerësimin e dëmtimeve pas tërmetit. Ndërsa, profesorët dhe studentët e Departamentit të Psikologjisë u kanë ofruar të prekurve mbështetje psikosociale dhe këshillim. Përmes ndihmave të dërguara, Parlamenti Studentor ka dhënë kontributin e tij.