UP-ja shpërblen me mirënjohje për kontribut profesoreshën Ruth Seifert

Administrator Administrator 28 February 2019 Archived

Rektori i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga prorektorja për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. asoc. dr. Merita Koçinaj - Berisha, ka pritur sot në takim prof. dr. Ruth Seifert nga Universiteti i Shkencave Aplikative të Regensburgut, Gjermani, të cilën e ka shpërblyer me mirënjohje për kontributin e dhënë për UP-në.

Dema e falënderoi prof. Seifert për punën e saj dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë për Universitetin e Prishtinës, veçanërisht në fushën e shkencave sociale.
“Ne jemi këtu për t’ju falënderuar për gjithë mundin që keni dhënë për universitetin tonë. Kontributi juaj ka ndryshuar shumë procese në UP, në një kohë kur e gjithë shoqëria jonë ka nevojë të theksuar për ndryshim. Për këtë, unë çdo herë theksoj se pa ndryshime në Universitetin e Prishtinës, nuk ka ndryshim në Kosovë,” tha Dema.

Mirënjohëse për këtë pritje ishte profesoresha Seifert. Ajo tha që të punosh për Universitetin e Prishtinës ka qenë çdoherë kënaqësi.
“Që nga ardhja ime e parë në Prishtinë, çdoherë kam tentuar të ruaj kontaktet me njerëzit këtu dhe, fatmirësisht, ia kam arritur. Unë, si personalitet, jam rritur me UP-në,” tha Seifert. Njëherësh, ajo e falënderoi edhe shefin e Departamentit të Punës Sociale në Fakultetin Filozofik, prof. Lulëzim Dragidella, për bashkëpunimin e gjertanishëm në themelimin dhe funksionimin e këtij departamenti.

Prof. Ruth Seifert ka filluar bashkëpunimin me UP-në në vitin 2005. Ajo ka dhënë kontribut vital në themelimin e Departamentit të Punës Sociale në Fakultetin Filozofik. Njëherësh, profesoresha gjermane ka mundësuar që përmes projekteve të ndryshme të bashkëpunimit shumë studentë dhe profesorë të UP-së dhe të universitetit partner të përfitojnë nga vizitat dhe shkëmbimet studimore ndërmjet dy universiteteve. Përveç kontributit në Universitetin e Prishtinës, prof. Ruth Seifert, ka dhënë kontribut të madh edhe në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë.