UP-ja pjesë e takimit të projektit QUADIC të mbajtur në Gjirokastër
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” po merr pjesë në takimin e radhës të konsorciumit të projektit Quality Development of International Cooperation and Project Management (QUADIC), i cili po zhvillohet në Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër.
UP-ja përfaqësohet në këtë takim nga prof. asoc. dr. Dashamir Bërxulli, dekan i Fakultetit Filozofik dhe koordinator i QUADIC për UP-në dhe znj. Saranda Leka.
Takimi ka për qëllim vazhdimin e punës në plotësimin e objektivave të projektit, që kanë të bëjnë me strategjitë e ndërkombëtarizimit të universiteteve të konsorciumit. Po ashtu, qëllim i takimit është diskutimi dhe shqyrtimi i çështjeve dhe problematikave të ndërlidhura me aplikimin për projekte të ngritjes së kapaciteteve.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, dekani Bërxulli shprehu kënaqësinë për arritjet e deritanishme të projektit. Po ashtu, dekani Bërxulli foli për sfidat e ndërkombëtarizimit në kohë globale, duke theksuar nevojën për të rritur kapacitetet njerëzore dhe organizative, si dhe mësimin në gjuhë të huaj, për të pritur studentë të huaj në të ardhmen e afërt. Në fund, dekani Bërxulli shprehu angazhimin e plotë për një rol aktiv të UP-së, ashtu si deri më tani, në kuadër të QUADIC, dhe jo vetëm, në fushën e projekteve ndërkombëtare.
